“Agjentë perandorakë” i Noel Malkolmit, sipas autorit është mikrohistori, por për ne shqiptarët është një makrohistori, kundër makroamnezionit tonë kronik. Ky studim filigranik i Malkolmit ndjek fatet e familje shqiptare nga Ulqini, familjes Bruni, (në relacion me të edhe të familjes Bruti), që përgjatë shekullit XVI do të jenë të mpleksura në shumë ngjarje dhe në shumë vende, që nga Venediku, Vatikani, Spanja, Austria, Hungaria, Moldavia, Perandoria Osmane. Pjesëtarë të kësaj familjeje ulqinake e shqiptare, që ishin shtetas të Venedikut, do të luanin role të ndieshme në ngjarje të mëdha të asaj kohe, si Kuvendi i Trentit, Beteja e Lepantit, armëpushimi spanjollo-osman, traktati osmano-polak, pushteti moldav, etj. Celësi për ta kuptuar rolin që u ishte rezervuar Brunëve, sipas zbulimit që ka bërë Malkolmi, është fascinues: ndonëse ata ishin të krishterë dhe në shërbim të Venedikut, Spanjës a Vatikanit, përparësia e tyre ishte “për faktin se ata ishin të afërm të njërit prej vezirëve më të fuqishëm të qeverisë osmane.” Brunënt ishin kusherinj të Sinan pashës nga Topojani, njëri nga vezirët më të fuqishëm të Shtetit Osman. Edhe pse u përkisnin besimeve të ndryshme fetare dhe shërbenin në shtete të kundërvëna e të armiqësuara, Brunët dhe Sinan pasha ruanin lidhjet farefisnore, ruanin njëri-tjetrin. Disa nga Brunët kryenin shërbimet e tyre për shtetet krishtere, duke qëndruar në Stamboll, duke mbajtur kontakte me Sinan pashën dhe me shqiptarë të tjerë të fuqishëm në administratën osmane. Nga ana tjetër, traktati i famshëm i Antonio Brunit, tregonte gjithë kujdesin që të mos nxitej nga shtetet e krishtera rebelim në viset shqiptare, që do ta dëmtonte popullsinë shqiptare. “Brunët dhe Brutët ishin amfibë të mirëfilltë gjuhësorë dhe kulturorë. Dhe kjo siç do të shohim, ishte qenësore për suksesin e tyre në botën e paanë mesdhetare”, konkludon Malkolmi.
Nga studimi i Malkolmit unë nxjerrë një përfundim, të cilin më parë nuk e kisha përfytyruar: sinteza e kombit shqiptar, si komb unik, që kishte dy besime të mëdha fetare, Islamin dhe Krishterimin, paskësh filluar të ngjizej në shekullin XVI, pikërisht nga raportet ndërmjet shqiptarëve që shërbenin në Shtetin Osman dhe të atyre që shërbenin për shtetet e krishtera, Venedikun, Vatikanin e Spanjën. Duke qenë lidhjet e gjakut mes shqiptarësh të forta, ato përballuan presionet që vinin nga ndarjet në besime fetare dhe në shtete të armiqësuara. Pra, uniteti i familjes shqiptare paskësh triumfuar mbi dasitë fetare, shtetërore e madje edhe mbi ato gjeopolitike.
Sipas narracionit të Noel Malkolmit, ruajtja e këtyre lidhjeve kaq të forta ka qenë e ndihmuar edhe nga fakti që Perandoria Osmane nuk e nxiste konvertimin: “Në rrethana normale, megjithatë, regjimi Osman nuk bëri përçapje për t’i detyruar nënshtetasit e tij jomyslimanë të konvertoheshin në islam, si Kisha Ortodokse, ashtu edhe ajo Katolike romane e vazhduan veprimtarinë e tyre në territorin osman. Kjo ishte pjesërisht për shkak të parimeve tradicionale islame lidhur me “njerëzit e librit” (një kategori që përfshinte të gjithë të krishterët dhe hebrenjtë) dhe sërish për shkak se të ardhurat publike do të binin në qoftë se reshte së paguari taksa mbi jomyslimanët.” (f.33.)
Mirëpo, rivalitetet dhe konfrontimet ndërmjet shteteve të krishtera në njërën anë dhe të Shtetin Osman, në anën tjetër, ishin shumë të ashpra, sikundër që edhe rivalitetet ndërmjet vetë shteteve të krishtera ishin shumë herë tinëzare dhe madje të ashpra. Me një fjalë, bota mesdhetare e shekullit të XVI, ishte shumë e dhunshme, me rregulla loje që bëheshin ad hoc dhe që prisheshin që në rastin e parë. Veçmas luftërat detare ishin pothuajse të pandërprera, me stimulimin e kusarëve dhe piratëve, po edhe të aleancave tinëzare të shteteve. Pra, në këtë botë të dhunshme dhe me armiqësi nivelesh të shumta, pjesëtarët e familjes shqiptare Bruni, ia dilnin të kishin ndikime dhe të kalonin edhe barrierat më të forta, sepse në anën tjetër, në Shtetin Osman, ata kishin kontakte e mbrojtje nga pushetarë që ishin farefis i tyre.
Në tërë këtë sfond të ngatërruar, sensi që kishin për realitetin shqiptarët si Brunët, ishte më pragmatik se sa i të tjerëve, që dinin të bënin plane jorealiste në raport me shtetin osman. Malkolm konkuludon: ‘ feja pati rëndësi në një nivel të thellë, çka duhet të ndihmojë për të shpjeguar përse asnjëri prej tyre nuk u bë musliman. Por në shumicën e rasteve nuk ishte feja ajo që drejtoi jetën e tyre dhe as ajo që i ndaloi disa syresh të forconin lidhjen me një kusheri të fuqishëm që ishte konvertuar në musliman. Ndërsa, fakti që ata ishin katolikë të ardhur nga njëra prej zonave të kufi të krishterimit mund të ketë forcuar ndjenjën e tyre të katolicizmit, fakti që ata ishin shqiptarë, të lidhur me anë të gjuhës gjakut dhe historisë me nënshtetas osmanë dhe territorin Osman, u dha atyre aftësinë t’i shikonin gjërat nga një këndveshtrim që ngjasonte më shumë me atë osman. Teksa papët dhe mbretërit bënin plane gjithnjë e më jorealiste për mposhtjen e Sulltanit dhe ngadhënjimin e krishterimit, puna e përditshme e bashkëveprimit me botën osmane varej, në realitet, nga njerëz të tillë si këta.” (f.405)
Pozicioni i tillë i Brunëve, ka pasur vazhdimësi edhe në shekujt që pasuan, duke përfshirë madje edhe shekullin XIX, kur u konstituua dhe u konsolidua lëvizja shqiptare e kombfromimit dhe e ndërtimit të shtet-kombit shqiptar. Edhe ajo lëvizje e madhe ideologjike, kulturore, politike e ushtarake ishte brenda atij sfondi, që e skicuan Brunët në shekullin XVI, pra, të jesh me Evropën por pa qenë në armiqësi të domosdoshme me Shtetin Osman. Armiqësia “instiktive” ndaj shtetit Osman dhe trashëgimisë shqiptare brenda atij shteti, u patentua më vonë. Ajo u patentua dhe u farkua si pasojë e infliltrimit të elementeve të ideologjisë së pansllavizmit në ideologjinë dhe në mendimin politik, historiografik e kulturor shqiptar. Sigurisht kjo ka ndikuar edhe që të thellohet amnezioni ynë ndaj të kaluarës, injorimi i figurave, familjeve dhe kontributeve signifikante të tyre në të kalaurën, në raportet ndërmjet Evropës dhe Shtetit Osman. Kjo është motivuar gjoja në emër të vesternizimit, ndërsa në fakt kjo ka ndodhë nën influencën e pansllavizmit. Prandaj, leximi i vëmendshëm i kësaj historie për familjen katolike Bruni, relacionet e saj me Sinan pashën dhe me shqiptarë të tjerë muslimanë dhe kontibutet e tyre të përbashkëta në relacionet ndërmjet Evropës dhe Shtetit Osman, na ndihmon në kthjellimin e përfytyrimeve për të kaluarën tonë. Studimi “Agjentë perandorakë” i Noel Malkolmit, në këtë konstekst, më duket si guri i parë kilometrikë, me të cilin fillon të markohet një rrugë e gjatë në hapësirat e një historie të shpërbërë, por e cila ende mund të ribëhet në kujtesë.
Titulli i librit, “Agjentë perandorakë”, përveç që shenjon aktivitetet bazike të familjeve shqiptare Bruni e Bruti, më duket se mund të lexohet edhe si metaforë, sipas të cilës jo vetëm Brunët, Brutët e Topojanët, por vetë shqiptarët kanë qenë agjentë ndërmjet perandorive të mëdha, u kanë shërbyer atyre, kanë marrë prej tyre, kanë pësuar prej tyre dhe kanë mbijtuar falë dinamizmit dhe vlerave të veta, familjare, gjuhësore e kulturore. Natyrisht, duke paguar çmim të lartë në këtë rol tragjik, siç është edhe rasti që paraqet Malkomi, të luftës së gjatë habsburge-osmane austriake, ku shqiptarët ishin në të dyja anët e frontit.
Mesazhi i titullit dhe i vetë librit “Agjentë perandorakë’, mund të lexohet edhe përtej metaforës: edhe në shekullin XXI, ne shqiptarët jemi një komb unik ndërmjet dy perandorive të mëdha, që ideologjikisht mund të shprehen si gjendje ndërmjet atlantizmit dhe pansllavizmit. Zgjedhja e tashme është e qartë, koncensuale, pra, si komb në tërë hapësirat jemi vetëm në anën e atlantizmit. Por, kjo mund të ndryshojë, nëse në të ardhmen, nga ndonjë përmbysje gjeopolitike e gjeostrategjike, ndryshojnë raportet ndërmjet SHBA dhe Rusisë, në favor të Rusisë. Në atë rast, sërish mund të gjendemi siç u gjendëm pas Luftës së Dytë Botërore, në variantin më tragjik, nën darat e pansllavizmit. Ose si në shekullin e Brunëve, vetëm si “agjentë perandorakë”, në një rast pak më shpresëdhënës, se sa vetëm nën darat e e pansllavizmit.
Miq, lexojeni këtë libër! Lexojeni që ta keni përjetimin dhe vlerësimin tuaj! Nuk keni pse t’i besoni në mënyrë jokritike shijes dhe botëvështrimit tim! (27 shtator 2019).