Skandali, regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor, të paligjshme
Ministria e Arsimit ka shkelur ligjin e ri të arsimit të lartë, duke i kthyer regjistrimet e studentëve pas datës 16 tetor në të paligjshme.
Të vetmit fitues që janë të ligjshëm në universitet, pasi shpallja e tyre si fitues është bërë në përputhje me ligjin nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, janë fituesit e raundit të parë dhe ata të raundit të dytë.
Ndërkohë që, çdo regjistrim pas spostimit të vijës së kuqe është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk janë shpallur fitues nga departamentet dhe fakultetet përkatëse, por janë shpallur nga RASH-i. Kjo gjë konfirmohet edhe nga dekanët e fakulteteve dhe shefat e departamenteve, të cilët janë shprehur se listat, pas datës 16 tetor nuk mbajnë firmën e tyre, pasi u vijnë të gatshme nga MAS-i dhe RASH-i, e ata thjesht i verifikojnë me listat e tyre.
Shkeljet ligjore që ka bërë Ministria e Arsimit janë shumë të rënda, pasi ka shkelur ligjin e arsimit të lartë dhe ka futur në ‘valle’ për të regjistruar studentët një institucion varësie si RASH-i, i cili nuk është pjesë fare e ligjit.
Por kush janë nenet e ligjit të ri të arsimit që janë shkelur? Bëhet fjalë për tri nene kryesore, të cilat përcaktojnë se si do bëhen pranimet e ciklit të parë të studimeve në universitet dhe kush janë ato institucione që e kanë të drejtën për ta bërë. Përkatësisht janë neni 23, pika 4, neni 25, pika 8, si dhe neni 74. Neni 23/4 përcakton se: “Fakulteti miraton kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, bazuar në propozimet e njësive bazë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore.”
Më tej, në nenin 25/8 përcaktohet se: “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore. Departamenti përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, sipas procedurave të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.”
Dhe pikërisht kjo pikë është zbatuar vetëm me shpalljen e fituesve të fazës së parë dhe të dytë, të cilët janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016, pasi janë lista të miratuara sipas ligjit.
“Fituesit nuk do të zgjidhen më nga sistemi dhe nga ministria, por janë universitetet që vendosin kriteret dhe studentët zgjedhin ku do regjistrohen” – kjo është një deklaratë e bërë shpeshherë nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Por e vërteta po ndodh ndryshe: fituesit po shpallen nga sistemi i RASH dhe, mbi të gjitha, në kundërvajtje me ligjin. Dhe më e keqja akoma është se ende drejtuesit e Ministrisë së Arsimit nuk e kanë kuptuar që e kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët.
Fatkeqësisht, as universitet nuk po ua nxjerrin në dukje këto shkelje, pasi rektorët ende nuk e kanë kuptuar thelbin e ligjit të ri të arsimit të lartë, ku kompetenca për të shpallur dhe për të regjistruar fituesit është e drejtë e tyre ligjore dhe jo e ministrisë.
Ndërsa dita e sotme do jetë decizive, pasi shënon data 27 tetor dhe mbyllen regjistrimet. Ndërkohë që, ende nëpër universitete janë mijëra kuota të paplotësuara.