Slogani “ripërtëritje”, gënjeshtër e radhës

Slogani “ripërtëritje”, gënjeshtër e radhës. Fjala ripërtëritje do të thotë të rinohesh, të ripërtërihesh. Kështu themi se u përtëri bari pas korrjes, pra doli bar i ri. Ripërtërijmë ose rinovojmë, siç përdoret shpesh, themi për shtëpitë, apartamentet e vjetra që jo vetëm lyhen, por çdo gjë e vjetër ose edhe pak e dëmtuar hiqet, duke i lënë vendin objekteve të reja, qofshin divanë, tavolina, karrige apo edhe perde.
Kur PD na bëri të njohur me sloganin e ripërtëritjes si slogan i mbledhjes së Këshillit Kombëtar, quaje kongres po të duash, menduam se po fillon një etapë e re në PD-në konservatore. Edhe pse njihet si adhuruese e të vjetrës, erdhi më në fund ora t’i hapë rrugë të resë. Mirëpo, shpresat tona ishin thjesht një gënjeshtër e bukur.
Kur nuk u propozuan për t’u rizgjedhur për në Këshillin Kombëtar 39 anëtarë me përvojë, që është një numër jo i vogël, thamë se PD, më në fund, po nis të ndryshojë. Kur pritëm që të mos përfshihej në listë për t’u rizgjedhur edhe kryetari i tyre, që ka 35 vjet që i drejton, sharra ngeci në gozhdë.
Ai më i vjetri, më i konsumuari, ai, i vetmi që është i pandehur në tre procese gjyqësore për korrupsion dhe 21 Janarin me 4 të vrarë dhe shumë të plagosur, nuk u pa e arsyeshme nga ai dhe partia që të mos rizgjidhej si 39 të tjerët. Ata po ishin bërë pengesë për të ecur përpara partia. Ai në asnjë mënyrë. Ai nuk kishte pse të mos rizgjidhej, se është më i ri se të rinjtë, më i zgjuar se budallenjtë dhe puthadorët që e rrethojnë, më i fortë se njëzetvjeçarët.
Prandaj ai, edhe në zgjedhjet e ardhshme, kur do të jetë 84 vjeç, Sali Ram Berisha ka për të mbetur kryetar e ndoshta kryeministër. Deri sa t’i fiket si kandili, Sali Ram Berisha do të jetë Zeusi i PD-së dhe opozitës.
Kjo gjoja “ripërtëritje” e PD-së nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër apo mashtrim i radhës që bën Berisha. Jo aq sa për të bindur partinë e tij, sa për t’i hedhur hi syve popullit (elektoratit gri) që ta votojnë PD-në, se ajo tani na qenka ripërtërirë, duke hequr si me lopatë të gjithë ata që nuk kanë pasur as edhe një rol në vendimmarrjet e gabuara të PD-së.
Po populli e di mirë se vetëm Berisha dirigjon PD-në si për vendime të drejta, po qe se ka marrë, edhe për gjendjen e mjerueshme ku është katandisur kjo parti. Si në kohën e diktaturës, përjashtime pambarim të kujtdo që ka pasur mendim ndryshe. Ngritje në poste drejtuese vetëm për besnikët shurdho-memecë që e shikojnë doktorin si shpëtimtarin e tyre.
Si ka mundësi që ata të pranojnë dhe të mburren gjoja me ripërtëritjen e PD-së, pa ripërtëritur kryetarin e tyre mbi një çerek shekullor?! Pra, pa e hequr atë nga kandidimi, që për njerëzit normalë është një turp i radhës.
Berishës i gënjen mendja dhe prandaj mashtron demokratët kur shprehet entuziast për fitore në zgjedhjet e ardhshme. E di që nuk mund t’i fitojë si buka që hahet. I gënjen njerëzit se është mësuar vetëm të mashtrojë për të mos lëshuar karrigen. Ajo po ka rëndësi për të. Jo aq pushteti, që e di se e ka përgjithmonë të humbur.
E di mirë që populli nuk ia fal krimet dhe gënjeshtrat. Nuk ia fal akuzat pa baza që ai ngre kundër qeverisë edhe për ato projekte apo vendime të suksesshme të saj. Nuk ia fal që nëpër botë del dhe poshtëron Shqipërinë.
Populli nuk harron kasaphanën që ai bëri në vitin 1996, duke zëvendësuar kutitë e qendrave të votimit me ato që kishin bërë në zyrat e PD-së. Nuk harron që rrahu keqas në mes të Tiranës edhe politikanët protestues.
Edhe pse populli e di që qeveria e Ramës po vuan nga korrupsioni, kur bën krahasimin midis PD-së hajdute dhe gënjeshtare, koshere gërnjare bletësh, dhe PS-së shumë më normale, ngaqë nuk ka zgjidhje tjetër, ka për të votuar të majtët.
Kjo është e keqja më e madhe që po i bën Shqipërisë PD-ja, duke mbajtur për kryetar një njeri që duhet të japë llogari para gjykatës për akuza konkrete të dënueshme nga ligji. Mban një njeri që nuk hap rrugën për reformim. Mban një njeri që na detyron të mos votojmë për rotacionin, kur në kushtet e demokracisë është domosdoshmëri.
Berisha, me veprimet komunisto-bajraktaro-demokratike, ka atrofizuar tërë opozitën. Është një opozitë e padenjë për një vend demokratik. Me Berishën, PD-ja është një parti e padëshiruar nga SHBA-ja dhe Anglia.
A mund të votojë populli për një qeveri me një kryeministër që nuk shkel dot në Washington?! Në aeroportet e Britanisë së Madhe ai nuk mund të shkelë as si transit?!
Prandaj, kur ai beson se ka për të fituar, gënjen, gënjen dhe mashtron pa iu skuqur faqja. Mjaft që ai të mos e lëshojë partinë nga dora.
Fajtorë bashkë me të janë edhe të gjithë puthadorët e tij, që nuk janë të paktë. Nuk e kuptoj se si ka mundësi që njerëz të diplomuar nga universitete të ndryshme të qepin gojën, të ulin kokat dhe të votojnë për të, për shkatërruesin e PD-së.
Dhe jo vetëm të PD-së. Ai po hedh baltë pareshtur edhe kundër Shqipërisë.Slogani “ripërtëritje”, gënjeshtër e radhës
Nuk e di a ka ardhur apo ka kaluar koha që SPAK-u duhet të zgjohet nga gjumi për të shpëtuar si PD-në, opozitën dhe Shqipërinë?!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.