SOFT NEWS – Portugalia gjobit 255 euro … CR7-ën
LISBONË, 20 tetor /ATSH-AA/ – Federata Portugeze e Futbollit (FPF) i vendosi Cristiano Ronaldos një pezullim prej 30 ditësh dhe një gjobë prej 255 eurosh (286 dollarë), pasi ai u largua nga grumbullimi i kombëtares pa leje, pas një mosmarrëveshjeje me trajnerin Jorge Jesus.
Këshilli disiplinor i federatës e vërtetoi akuzën ndaj kapitenit 41-vjeçar, i cili u largua nga grumbullimi i Portugalisë në Kopenhagë më 30 shtator, një ditë para ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Danimarkës.
Në vendimin e tij, këshilli konstatoi se Ronaldo kishte kryer qëllimisht një shkelje disiplinore, në përputhje me Nenin 160(1) të rregullores disiplinore të federatës.
“Bazuar në këtë, vendoset të aplikohet një pezullim prej 30 ditësh, si dhe një gjobë financiare prej 2,5 njësish kontabël, e barabartë me 255 euro (dyqind e pesëdhjetë e pesë euro),” njoftoi federata.
Ronaldo i ishte nënshtruar një pezullimi të përkohshëm automatik që nga momenti i largimit nga grumbullimi më 30 shtator. Federata hapi zyrtarisht procedurat disiplinore më 9 tetor dhe vendosi një pezullim të përkohshëm të veçantë, ndërsa çështja iu dërgua për hetim të nesërmen.
Në njoftimin disiplinor nuk u sqarua nëse periudha e kaluar tashmë nën pezullimet e përkohshme do të llogaritet si pjesë e sanksionit prej 30 ditësh.
Largimi i Ronaldos erdhi pas mosmarrëveshjeve me Jesusin lidhur me rolin e tij në kombëtare, pasi ai mbeti në stol pa u aktivizuar në fitoren 2-1 të Portugalisë ndaj Norvegjisë, më 27 shtator.
Në një deklaratë të gjatë pas largimit të tij, Ronaldo e akuzoi Jesusin se nuk i kishte mbajtur premtimet lidhur me kohën e tij të lojës, ndërsa njëkohësisht kërkoi ndjesë që ishte larguar nga grumbullimi i kombëtares pa leje.
Sulmuesi veteran deklaroi se Federata Portugeze e Futbollit duhet të përcaktojë ndëshkimin e duhur për veprimet e tij dhe theksoi se nuk e ka menduar kurrë tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.