Sondazhi në Serbi: Mbi 60 për qind kundër anëtarësimit në BE nëse kusht është njohja e Kosovës
Mbi 60 për qind e qytetarëve të Serbisë do të votonin kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, nëse njëri prej kushteve për integrim do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
Kështu tregojnë rezultatet e një sondazhi të Institutit të Shkencave Sociale të Serbisë, të publikuara nga “Yahoo News”, sipas të cilave 60.2 për qind e të anketuarve do ta kundërshtonin anëtarësimin në BE në rast se Serbia do të duhej ta njihte Kosovën si pjesë të procesit të integrimit.
Në anën tjetër, nëse njohja e Kosovës nuk do të ishte kusht për anëtarësim, 48.3 për qind e qytetarëve të anketuar do ta mbështesnin integrimin evropian të Serbisë. Kundër këtij procesi do të ishin 35 për qind, ndërsa 12.6 për qind janë deklaruar të pavendosur.
Të dhënat e sondazhit tregojnë gjithashtu një nivel të konsiderueshëm të skepticizmit të qytetarëve serbë lidhur me perspektivën evropiane të vendit të tyre.
Sipas rezultateve, 46.6 për qind e të anketuarve nuk besojnë se Serbia do të bëhet ndonjëherë anëtare e Bashkimit Evropian. Madje, ky qëndrim është i pranishëm edhe te 19.4 për qind e atyre që në përgjithësi e mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE.
Sondazhi është realizuar nga 21 maji deri më 25 shtator të vitit 2026, me pjesëmarrjen e 1 mijë e 248 personave.
Rezultatet pasqyrojnë ndjeshmërinë e çështjes së Kosovës në opinionin publik serb dhe ndikimin që njohja e pavarësisë së saj mund të ketë në mbështetjen e qytetarëve për integrimin evropian të Serbisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.