Sot bëhen tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë
Sot, më 24 shtator bëhen tre vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 një grupi armatosur nga Serbia sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit.
Në betejë me këtë grup kriminal rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra në krye të detyrës, ndërsa policë të tjerë u plagosën.
Zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës këtë sulm e kanë quajtur akt agresioni nga Serbia ndaj shtetit të Kosovës.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori përmes avokatit të tij Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Deri tani lidhur me këtë sulm terrorist janë dënuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim.
Por, si ndodhi sulmi në Bansjkë?
Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, Milan Radoiçiq dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.