Sporti

Sot me Armeninë, trajneri Reja dhe Hysaj: Ndeshje e rëndësishme, duhet të fitojmë

Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen e dytë miqësore të muajit nëntor, që përkon edhe me sfidën e fundit për këtë vit kalendarik. Kuqezinjtë do të luajnë kundër Armenisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 17:30, teksa ashtu sikurse zakonisht, trajneri Edy Reja dhe mbrojtësi Elseid Hysaj folën dje në konferencën e zakonshme për mediet.

Tekniku italian analizoi sfidën e sotme, ndërsa thekson se ndaj Armenisë do të ketë një rrotacion në formacion dhe do të luajnë lojtarët e thirrur rishtas në Kombëtare. Gjithashtu, ai foli edhe për të ardhmen e tij dhe të Kombëtares, nëse trajneri do të vijojë të jetë në krye të pankinës kuqezi.

“Sa i përket të ardhmes time ne kemi folur shpesh, por nëse do të duhet të flasim për rritjen, mendoj se Kombëtarja shqiptare ka pasur rritje. Ka qenë graduale, muaj pas muaji. Sa i përket kontratës, është diçka që e gjykon tjetërkush, e gjykojnë mediet, Presidenti Duka dhe ju të gjithë. Por sa i përket skuadrës, mendoj se kemi bërë mirë në kaq kohë që ne kemi punuar bashkë. Rezultatet e fundit nuk kanë qenë aq pozitive, por për pjesën tjetër mund të them se kemi pasur rezultate shumë të mira. Mund të përmendim ndeshjen me Izraelin dhe Islandën që mendoj se mund të marrim më shumë pikë, sepse e kemi merituar. Kemi folur shpesh për mungesat, por përtej mungesave ne na kanë penalizuar edhe episodet e ndryshme gjatë këtyre ndeshjeve. Mjafton të përmendim faktin që po mos të ishte për minutat shtesë, ne do të kishim më shumë pikë dhe mund të ishim në krye të grupit të Nations League. Por në këto minuta jemi ndëshkuar dhe kemi humbur pikë. për këtë më vjen keq. Por jemi në këmbë. Unë në aspektin personal dua të vazhdoj, por nuk jam unë ai që vendos për këtë marrëdhënie. Jemi përpjekur të punojmë me të rinjtë, me disa element të kampionatit shqiptar të cilët janë shumë të vlefshëm dhe po mundohemi t’i ingranojmë në kombëtare që të tregojnë vlerat e tyre”, tha Reja.

Ai u pyet edhe për gabimet e lojtarëve. “Nëse lojtarët e ndjejnë fanellën, tejkalohen edhe aftësitë teknike dhe gjithkush mund të bëjë më mirë. E kemi thënë gjithmonë, ndoshta duhet të përmirësohemi në aspektin e mentalitetit. Mendoj se jemi përmirësuar. Kemi bërë prapë gabime. E pamë edhe me Italinë, kemi folur, kemi bërë analiza video”, theksoi ai.

Në lidhje me grupin e lojtarëve për kualifikueset e Kampionatit Europian, Reja tha se “normalisht në të ardhmen do të duhet të bëjë disa zgjedhje përfundimtare, sigurisht është edhe çështje brezi dhe disa lojtarë me kalimin e moshës do të duhet të largohen dhe është normale. Kemi rreth 40 lojtarë që i vëzhgojmë prej dy vitesh dhe janë në listën tonë. Qëllimi ynë është që të shkojmë në finalet e Euro 2024, po punojmë, dhe po vëzhgojmë lojtarët e rinj”.

Edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të medieve u shpreh se kuqezinjtë duhet të marrin një fitore kundër Armenisë, për të harruar këtë vit të vështirë. Ai falënderon edhe tifozët për mbështetjen, ndërsa flet edhe për lojtarët e rinj në Kombëtare.

“Besojmë që duhet të marrim një fitore sepse ka qenë një vit i vështirë dhe nuk kemi pasur fitore. Besoj që duhet një fitore për ta mbyllur dhe për të harruar këtë vit që kaloi sepse kemi kaluar momente të vështira e momente të mira. Por kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat e duan një fitore kundër Armenisë”, u shpreh ai.

“Kam takuar djemtë e rinj që kanë ardhur, janë shumë të edukuar, stërviten mirë, i japin një dorë skuadrës dhe kanë edhe cilësi. Siç e pamë edhe kundër Italisë, u futën dhe treguan kualitetin e tyre dhe besoj që në këtë ndeshje do të kenë më shumë mundësi të tregojnë veten dhe t’i tregojnë të gjithëve që bëjnë për Kombëtaren dhe duhet të luftojnë për Kombëtaren”, tha Hysaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button