SPANJË – Stuhi të fuqishme dhe përmbytje, një grua humb jetën, disa rajone nën alarm
BARCELONË, 18 tetor /ATSH-DPA/- Një grua u gjet e vdekur sot, pasi u mor nga rrjedha e fuqishme e ujërave të përmbytjeve të shkaktuara nga një stuhi e fortë në Katalonjë, në verilindje të Spanjës, njoftoi shërbimi lokal zjarrfikës.
Gruaja ndodhej me fëmijën e saj në qytetin Cabrera de Mar, rreth 35 kilometra në verilindje të Barcelonës, kur të dy u përfshinë nga ujërat e rrëmbyeshëm.
Sipas raportimeve, bashkëshorti arriti ta kapte dhe ta shpëtonte fëmijën, por gruaja u mor nga rrjedha e ujit.
Pas kërkimeve që vazhduan gjatë natës, trupi i saj u gjet sot në mëngjes në det, pranë qytetit Premià de Mar, më në jug, bëri të ditur shërbimi zjarrfikës.
Edhe rajoni i Andaluzisë u godit rëndë nga moti i keq.
Përmbytje u regjistruan në qytetin Algeciras, pranë Gjibraltarit, në El Ejido, pranë Malagës, si dhe në zona të tjera.
Pamjet televizive treguan sasi të mëdha uji që vërshonin nëpër rrugë, si dhe makina, banesa dhe dyqane të mbuluara nga uji.
Autoritet lëshuan sot gjithashtu paralajmërime për mot të rrezikshëm në rajonet përreth Valencias dhe Alicantes, të dyja në bregdetin e Mesdheut.
Në disa zona, sasia e reshjeve të shiut kaloi 200 milimetra brenda një pjese të ditës, raportoi transmetuesi publik spanjoll RTVE.
Dy vjet më parë, në tetor 2024, rajoni i Valencias u godit nga një prej përmbytjeve më të rënda në historinë e Spanjës, ku humbën jetën të paktën 229 persona.
Sipas Agjencisë Kombëtare Meteorologjike të Spanjës (AEMET), ngrohja e ujërave të Mesdheut si pasojë e ndryshimeve klimatike, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, bën që të avullojë më shumë ujë.
Kjo mund të favorizojë stuhi më të shpeshta dhe më të fuqishme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.