“Ditët e fundit, sipas forenzikës së kryer në MPB, alarmet kalojnë përmes adresave VPN, por telefonatat fillestare janë nga Irani dhe Rusia. Është e rëndësishme të theksohet se ato adresa VPN janë paguar për përdorimin e kriptomonedhave, gjë që e ndërlikon më tej mundësinë e përcaktimit të autorit të saktë të këtij krimi. Tashmë në procedurë hetimore janë disa persona të cilët e kanë bërë këtë edhe nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai hetim është në fazë të avancuar dhe kur të vijë momenti do ta informojmë opinionin”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Kjo ka bërë që të ketë ndërprerje të shumta të procesit mësimor, pasi alarmet me bomba marrin shumë kohë derisa ekipet kundër terrorit pranë MPB-së të konstatojnë nëse kërcënimet janë të vërteta.
“Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë periudhës së kaluar, sepse për ne siguria dhe qetësia e qytetarëve janë në radhë të parë”, deklaroi Spasovski.
Në objektet shkollore, të premten, më 3 mars, kishte kontrolle dhe prani të policisë, pas çka nuk është regjistruar asnjë alarm për bomba.
Kjo sipas MPB-së është pjesë e masave të reja që tashmë kanë hyrë në fuqi, por ky institucion nuk ka sqaruar nëse drejtuesit e shkollave dhe të institucioneve tjera janë udhëzuar të çaktivizojnë postat elektronike, përmes të cilave edhe janë dërguar kërcënimet.
Paraprakisht, Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka rekomanduar që gjatë ditëve që ka paralajmërime për vendosjen e bombave, mësimi të mbahet në distancë me qëllim që nxënësit të mos humbin orët mësimore.
Gjatë javës së kaluar, vetëm brenda një dite të vetme, forcat e policisë në Shkup kanë evakuuar personelin dhe nxënësit nga 14 shkolla për shkak të alarmeve që kishin marrë përmes postës elektronike për vendosjen të bombave.
Alarmet për vendosjen e bombave, drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut i kanë cilësuar si “sulme terroriste hibride” që vijnë nga jashtë.