Spekulimet mbi aksidentin ku u përfshi ish-ministri Arben Ahmetaj
Aksidenti i mbrëmshëm në Kumanovë ku u përfshi ish-ministri Arben Ahmetaj (i cili sipas autoriteteve maqedonase u shkaktua nga lagështira e tepër në rrugë) është kthyer në temë dite edhe në Tiranë, ku politika dhe mediat po ‘ziejnë’ rreth tij.
Ish-kryeministri Berisha ka thënë sot se sipas qytetarit të tij dixhital, makina nuk kishte siguracione e karton jeshil. Pra, mjeku dixhital i Berishës ka “vizituar” edhe makinën.
Përpos kësaj, ai i ka bërë një mesazh Berishës me një shqipe perfekte pa asnjë nuancë të dialektit të shqiptarëve në Maqedoni. Por, vërtetësia e atyre që shkruan qytetari dixhital i Berishës dihet tanimë se si është.
Krahas Berishës, disa media duket se kanë rënë pre e lojës politike ose po e bëjnë më qëllim, kur po shkruajnë se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e mjetit dhe jo lagështira.
Por bazuar te ajo që thonë autoritetet maqedonase dhe nga foto e pas aksidentit, mesa duket edhe këto media po gabojnë njëlloj si Berisha, pasi ka ca fakte të thjeshta që rrëzojnë alibinë e shpejtësisë.
Një ekspert rrugor që preferon te ruaj anonimatin shkruan për Lexo.al se ka disa fakte të thjeshta që tregojnë se nuk ka qenë shpejtësia shkaku i aksidentit.
Shpjegimi i ekspertit:
“Siç e kemi parë edhe nga fotot e pas aksidentit, mjeti në të cilin udhëtontë ish-ministri është ndaluar pak metra larg autobusit me të cilin u karambolua edhe pse është goditur nga nje tjetër veturë nga pas. Nëse mjeti do të ishte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë, nuk do kishte ndaluar dot aq afër nga vendi i përplasjes dhe aq më pak nuk do të ishte goditur nga vetura tjetër nga pas.
Pra, fakti që mjeti i Ahmetajt ka ndaluar plotësisht pak metra larg autobusit, pavarsisht pozicionit në të cilin është ndaluar (që varet nga këndi i goditjes) dhe që është goditur nga pas nga një tjetër mjet, tregon edhe njëherë se shpejtësia nuk ka qenë aq sa ç’aludohet në disa media.”