Spy story e Vlorës: Nga romancë kthehet në triller
Nga Ylli Pata
Vlora Hyseni ka hedhur një shashkë para SPAK sot, duke e pasuruar historinë, nga një romancë dashurie në një triller spiunazhi.
Ngjarja po pasurohet, siç e kishim parashikuar jo thjesht për një film spy story, por një serial apo sequel tipik që pasurohet nga romanca në triller. “Takim në dhomat e Rogner me agjentë serbë”?
Fantazia shfrenohet, duke kërkuar arsyet dhe identikitit e “momci”-t të BIA që rreken të hyjnë në lojë në qendrën e Tiranës.
Këto intriga janë përdorur në Prishtinë prej shumë vitesh nga mediat atje, por duke përdorur aq shumë akuza kanë krijuar inflacion. Ku askush nuk i beson si një version real pasi ka pasur një rrëmujë jo racionale të versioneve, më së shumti mitomane.
Në 2001 u ndodha në Prishtinë, ku punova në një përditshme shumë të rëndësishme atëherë, si gazetar hulumtues.
Por botuesi, duke parë frenezinë e “fejtoneve” siç i thonë atje dosjerëve të spiunazhit, më kërkoi të përqendrohesha të ky zhanër.
Një ditë në mbledhjen e mëngjesit, pa pasur asnjë ide, por me një adrenalinë fantazie të shfrenuar i them kryeredaktores: Do të bëj një fejton për spiunët e UDB në Kosovë!
Në redaksi plandos heshtja, pasi kishin iluzionet që unë kisha lidhje me qarqe të ish-sigurimit, e ndonjë gjë di. Shefja më kërkon listën e bashkëpunëtorëve, unë i them që kjo nuk bëhet dot por do bëj çdo ditë një episode të betejës ndërmjet Sigurimit dhe UDB.
Ju futa fantazisë dhe çdo ditë bëja një episode të kësaj intrige mjaft tërheqëse dhe me interes. Normalisht bazuar në fakte të ditura dhe të konsultuara, por pjesa më e madhe ishte letërsi. Thënë të drejtën, doli diçka interesante, sa edhe një njohës i ngjarjeve e mik i mirë imi tha se i lexonte me qejf.
Në Kosovën e vitit 2001 të jesh gazetar investigativ ishte shumë e lehtë, pasi qoftë UNMIK qoftë KFOR jepte një akses perëndimor të informacionit që ne gazetarët e mësuar me Shqipërinë, s’e kishim shijuar kurrë.
Por botuesi donte fejtone spiunazhi. E vazhdova me pjesë, derisa një koleg nga Vlora që punonte me mua, i mërzitur ma ktheu: Vraje Katanin se na çave dërrasat.
Kështu duket edhe kjo histori spiunazhi e kthyer në telenovelë, ku njëri akuzon Vlorën se ka takuar agjentë rusë në Baku e kjo e fundit flet për historinë e BIA në Rogner.
E cila në fakt është shumë interesante dhe tërheqëse, pavarësisht se ish-kreu i SHISH mund të jetë treguar cinike, apo siç thuhet edhe shantazhuese. Po numri dhomës?
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.