SHBA – Dialogu, siguria dhe IA në qendër të takimit Trump-Xi
UASHINGTON, 24 shtator /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homolu i tij kinez, Xi Jinping zhvilluan një takim në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të vizitës shtetërore të liderit kinez në Shtetet e Bashkuara.
Në nisje të takimit, Xi Jinping bëri thirrje që Kina dhe SHBA-ja të shmangin çdo konflikt apo përballje, duke theksuar nevojën për dialog të rregullt mes dy vendeve dhe veçanërisht mes forcave të tyre të armatosura.
Sipas tij, përmirësimi i mekanizmave të komunikimit është i rëndësishëm për parandalimin e krizave.
Një tjetër temë kryesore ishte inteligjenca artificiale.
Xi deklaroi se Kina dhe SHBA-ja, si dy prej vendeve kryesore në këtë fushë, kanë përgjegjësi që zhvillimi i IA-së të mbetet nën kontrollin njerëzor dhe të përdoret në shërbim të mirëqenies së njerëzve.
Presidenti kinez e cilësoi gjithashtu marrëdhënien mes dy fuqive si një çështje me rëndësi globale, duke thënë se të dyja vendet kanë një “përgjegjësi historike” për përparimin njerëzor dhe duhet të forcojnë komunikimin.
Nga ana e tij, Donald Trump tha se në bisedime do të trajtohen çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.
Trump theksoi gjithashtu marrëdhënien e tij personale me Xi Jinping, duke e përshkruar atë si një “miqësi të madhe”, të ndërtuar mbi respektin reciprok dhe interesat e dy popujve.
Në fund të takimit, Xi Jinping njoftoi gjithashtu se dy panda gjigante kineze do të mbërrijnë brenda pak ditësh në kopshtin zoologjik të Atlantës, në juglindje të Shteteve të Bashkuara.
Xi tha se pandat gjigante kanë qenë gjithmonë një simbol i miqësisë mes Kinës dhe SHBA-së.
Sipas tij, pandat Ping Ping dhe Fu Shuang do të vendosen në kopshtin zoologjik të Atlantës, ku do të njihen me publikun amerikan.
Transferimi i dy pandave ishte bërë zyrtar që në muajin prill, por deri tani nuk ishte përcaktuar një datë e saktë për mbërritjen e tyre.
Pandat gjigante kanë luajtur prej dekadash një rol simbolik në diplomacinë kineze dhe janë përdorur si shenjë e marrëdhënieve miqësore mes Pekinit dhe vendeve të tjera./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.