Stamati: Muzetë lokalë, në gjendje skandaloze
Specialisti restaurues, Frederik Stamati, pas një ekspedite vlerëson skandaloze gjendjen fizike dhe kushtet klimaterike të muzeve në Gjirokastër
Specialisti i njohur si restaurues, konservues dhe kërkues shkencor i objekteve të trashëgimisë kulturore material, prof. as. dr. Frederik Stamati, pas një ekspedite të ditëve të fundit që ka zhvilluar në disa monumente kulture dhe muze të qytetit dhe krahinave përreth Gjirokastrës, ka arritur në përfundimin se gjendja fizike dhe kushtet klimaterike të disa monumenteve vlerësohen tepër kritike. Gjatë këtij udhëtimi ai vizitoi disa kisha në Lunxhëri, kompleksin e Vëllezërve Vangjel dhe Kostandin Zhapa në Labovë të Madhe, Kishën e Sopikut, disa muze dhe kështjellën në qytetin e Gjirokastrës.
“Këtu në Gjirokastër dhe në rrethinat e saj gjenden disa nga vlerat më të spikatura të trashëgiminë kulturore dhe historike kombëtare, por është për të ardhur keq që gjendja fizike dhe kushtet klimaterike në monumentet dhe muzetë që mbajnë brenda tyre objekte historike dhe vepra të çmuara arti, janë tërësisht jashtë kontrollit teknik dhe ligjor. Koha dhe pakujdesia jonë fatale është duke na zbehur, djegur dhe asgjësuar objekte muzeore me vlera të rralla dhe këtë neglizhencë fatale nuk kanë për të na e falur brezat”, shprehet i shqetësuar restauruesi Frederik Stamati, i cili edhe pse në pension vazhdon të kontribuojë pareshtur për restaurimin dhe konservimin e objekteve dhe relikeve të rralla muzeore prej tekstili, druri dhe metali me teknologjinë kimike. Sipas tij, këto objekte koha i vjetron, pluhuri i ndot, insektet i brejnë, ekspozimi ndaj dritës i zbeh, grabitësit i vjedhin, i shesin dhe i transferojnë, por lagështia dhe neglizhenca njerëzore janë armiqtë më të rrezikshëm të tyre dhe pikërisht këtu lind dhe problemi më i madh për ekzistencën e tyre si vlera të trashëgimisë.
Mendimi se trashëgimia jonë kulturore sot është në duart e atyre që nuk janë specialistë të trashëgimisë, thotë ai, gjatë këtij udhëtimi 3-ditor në disa monumente dhe muze në Gjirokastër m’u përforcua edhe më tepër. “Pse? Mund të pyesni ju. Sepse, sipas misionit dhe detyrat e institucioneve të trashëgimisë janë tri: të promovojë vlerat dhe objektet muzeore në administrim, të shtojë koleksionet me objekte të zbuluara rishtazi dhe e treta t’i ruajë, konservojë dhe t’i lërë trashëgim te brezat. Sipas mendimit tim edhe këtu në Gjirokastër, si në të gjitha muzetë kombëtare apo lokale në vend, nuk i plotësohen asnjë prej këtyre misioneve, pasi mungojnë tre faktorë: profesionalizmi, pasioni dhe kushtet teknike”.
Problematika e objekteve muzeore dhe monumenteve të kulturës për të është e ndryshme dhe rekomandimet për nxjerrje e tyre nga situata e rrezikshme në të cilën ndodhen kërkon studime më të thella nga specialistët e fushës, por eksperti Stamati, për të vlerësuar këtë situatë, dëshiron të ndalet më gjerësisht vetëm në një monument dhe një muze, kalanë e Gjirokastrës në administrim të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe Muzeun e Armëve në varësi të bashkisë së qytetit. “Dy janë problemet më emergjentë të kështjellës si monument, vegjetacioni i përhapur gjithandej në muret rrethuese dhe në brendësi dhe zgjidhja përfundimtare e ujërave që vërshojnë mbi krejt monumentin. Projektuesit dhe ndërtuesit e kësaj kështjelle kanë ndërtuar një sistemit hidrik të përkryer që nuk e lejonte ujin të dëmtonte këtë ngrehinë gjigante, ndryshe nuk kishte si ne ta trashëgonim sot si monument. Këtë gjë duhet të bëjnë mirëmbajtësit e sotëm të kështjellës të luftojnë vegjetacionin dhe ujin me çdo kusht dhe çdo mënyrë”. Sipas tij, vegjetacioni luftohet më lehtë si me metoda fizike ashtu edhe me metoda kimike. Ndërsa arkitektët dhe restauruesit e DRKK, sipas tij, përpara se të mendojnë për ndriçimin dhe dekorimin, duhet të zgjidhin çështjen e largimit të ujërave dhe hidroizolimin e zonës që ndodhet sipër Muzeut të Armëve.
Muzeu i Armëve sipas tij, i ka humbur me kohë funksionet e tij dhe përveç rikonceptimit, kërkohen masa emergjente për restaurimin dhe konservimin e objekteve që gjenden në eksponatet e tij të vjetërsuara dhe që u kanë shpëtuar grabitjeve të shpeshta të tyre. “Të gjitha objektet, kush më shumë dhe kush më pak janë dëmtuar nga përdorimi dhe koha. Armët e lehta shpata, pushkë, pistoleta etj., janë në gjendje mizerabël. Objektet prej tekstili dhe lëkure janë në degradim, sepse nuk kanë asnjë lloj trajtimi mbrojtës. Ekspozimi i të gjitha objekteve brenda dhe jashtë vitrinave është në kushte jomuzeore, sepse klima në të gjitha mjediset është e pakontrolluar dhe kjo situatë favorizon reaksionet e korrozionit që është shkatërrues për objektet. Një situatë kaosi është dhe në sistemimin e fondeve dhe katalogëve”, përfundoi analizën e gjendjes së Muzeut të Armëve restauruesi Frederik Stamati.
Situata, sipas tij, është e tillë që vetë Ministria e Kulturës duhet të çojë kontrolle për të verifikuar jo vetëm gjendjen e objekteve muzeore dhe monumentale, por edhe profesionalizmin e njerëzve që punojnë për mirëmbajtjen. Problematika është njëlloj serioze edhe në Muzeun Etnografik që është i vendosur në ish-shtëpinë e Enver Hoxhës në lagjen “Palorto”, thotë ai, ndoshta edhe më problematike, sepse aty ka me tepër objekte tekstili që janë edhe më delikate se objektet prej hekuri apo bronzi. Por sidoqoftë, në një analizë më të përgjithshme dua të them se decentralizimi i muzeve i ka degraduar muzetë rajonalë, lokalë dhe bashkiakë. Për mua personalisht, ky ishte një hap i nxituar për kohën, pasi strukturat vendore e kanë të vështirë të angazhojnë profesionistë për muzetë.
“Vetë fjala trashëgimi kulturore, nënkupton një vlerë kulturore materiale dhe shpirtërore të së sotmes që ruan cilësitë dhe historitë e së shkuarës së saj. Prandaj thërras e ngjirem, sepse një objekt, bie fjala një kostum i rrallë popullor i Lunxhërisë, edhe mund ta mbash si objekt në inventar, por nëse ai ka humbur ornamentet e qëndisura dhe ngjyrat, atëherë ai nuk është gjë tjetër, veçse një copë bese pa vlerë”, shprehet me shqetësim ai. Zëri “deri në kupë të qiellit” i prof. as. dr. Frederik Stamati, një prej restauruesve më të të talentuar të laboratorit të restaurimit të objekteve të imta të trashëgimisë kulturore shqiptare është i zbehtë e anemik përballë burokracisë së monumenteve të kulturës që nuk dinë gjë tjetër veçse të qahen dhe bërtasin deri në kupë të qiellit për fonde financiare.
Nuk është se nuk ka fonde dhe ligje për trashëgiminë, thekson Frederiku. “Nuk ka nevojë për fonde e tenderë për të shpëtuar një shtëpi gjirokastrite apo një kishë monument kulture nga rrënimi. Historia e rrënimit të këtyre monumenteve nis shumë thjesht, nga një pikë uji mbi çati. Lëviz diku një pllakë sipër çatisë dhe aty nis e rrjedh uji i shiut. Uji kalb trarët e çatisë dhe rrjedh mbi muret e brendshme derisa objekti rrënohet dhe shkatërrohet plotësisht. Nëse do jemi të kujdesshëm, të lëvizim pak pllakat për të mos lejuar atë pikën e vogël të shiut, kurrë nuk rrënohet banesa apo kisha monument. Dhe kjo nuk kërkon asnjë kosto vetëm vëmendje dhe punë sistematike”.
Restauruesi i njohur dhe me mjaft eksperiencë ka shumë të drejtë, të gjithë merren me ligje, projekte, struktura, donatorë, emërime dhe kërkesë fondesh dhe askush nuk merret me analizën e gjendjes reale të monumenteve, me mirëmbajtjen e përditshme të tyre dhe kontrollin e zbatimit të ligjeve që i mbrojnë dhe menaxhojnë monumentet. Ligji është vetëm hapi i parë, por çështja është si zbatohet ky ligj në terren ku rrënohen përditë vlera të jashtëzakonshme të kulturës kombëtare.
Nga Engjëll Serjani