STRASBURG – PE miraton zgjatjen e monitorimit të bisedave private për mbrojtjen e fëmijëve
STRASBURG, 9 korrik/ATSH-DPA/ – Parlamenti Evropian votoi sot në favor të zgjatjes së përkohshme të rregullave që u lejojnë kompanive si WhatsApp, Microsoft dhe Google të vazhdojnë kontrollin e bisedave private për të identifikuar materiale që lidhen me abuzimin seksual ndaj fëmijëve.
Marrëveshja e mëparshme, e cila u jepte platformave të komunikimit një përjashtim nga rregullat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave personale, skadoi në muajin prill.
Ajo nuk u zgjat menjëherë pasi Parlamenti Evropian refuzoi ta miratonte pa ndryshime.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e riktheu çështjen në rendin e ditës për të miratuar një zgjidhje të përkohshme, ndërsa vijojnë negociatat për një kuadër ligjor afatgjatë.
Sipas propozimit të miratuar, rregullat kalimtare do të jenë në fuqi deri në prill të vitit 2028.
Përpara hyrjes në fuqi, Komisioni Evropian duhet të përgjigjet ndaj propozimeve të Parlamentit dhe shtetet anëtare duhet të japin miratimin përfundimtar.
Rregullorja nuk synon të lejojë thyerjen e kriptimit “end-to-end”, që përdoret gjerësisht nga aplikacione si WhatsApp dhe Signal.
Megjithatë, propozimi i shteteve anëtare parashikon mundësinë e kryerjes së kontrolleve automatike në vetë pajisjet e përdoruesve.
Ky mekanizëm, i njohur nga ekspertët si “client-side scanning”, nënkupton që një program në telefon ose kompjuter analizon mesazhet, fotografitë dhe videot përpara se ato të kriptohen dhe të dërgohen.
Parlamenti Evropian ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kësaj metode, duke insistuar se edhe përmbajtja që ende nuk është kriptuar duhet të mbetet e paprekur.
Deputetët kërkojnë gjithashtu që materialet që nuk janë identifikuar më parë si përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve të mos raportohen tek autoritetet pa u verifikuar më parë nga një person. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.