Studimi, gjithnjë e më shumë të rinj konsumojnë kokainë
Gjithnjë e më shumë të rinj në Gjermani konsumojnë kokainë. Në një krahasim dhjetëvjeçar përdorimi te moshat 18-25 vjeç u rrit nga 1,2 në 4,1 për qind, siç bëri të ditur Instituti Federal për Shëndetin Publik.
Sipas të dhënave në vitin 2015, 1,8 për qind e meshkujve në këtë grupmoshë kishin deklaruar se kishin marrë kokainë të paktën një herë gjatë 12 muajve para anketës. Vitin e kaluar kjo përqindje ishte 5,7. Tek gratë e reja, përqindja u rrit brenda dhjetë vjetësh nga 0,5 në 2,4 për qind.
Ndërkaq tek adoleshentët gjatë së njëjtës periudhë nuk u konstatuan ndryshime të rëndësishme në konsumimin e kokainës . Instituti thekson gjithashtu se analizat e ujërave të zeza, të kryera në qytete gjermane me porosi të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogat, tregojnë gjithashtu një rritje të konsumit të kokainës.
Përvoja me droga ilegale
Sipas anketës 2,5 për qind e të rinjve 12-17 vjeç deklaruan se kanë pasur tashmë përvoja me të paktën një drogë ilegale. Midis djemve dhe vajzave nuk u vërejtën dallime.
Ndërsa te grupmosha 18-25 vjeç përqindja ishte dukshëm më e lartë, me 18,7 për qind. Ndërkohë që numri i meshkujve që kishin pasur përvoja medroga ilegale ishte gati dy herë më i lartë se femrave (23,8 për qind kundrejt 12,9 për qind).
Më shpesh në të dy grupmoshat u përmendën përvoja me oksid azoti, i ashtuquajturi “gazi gaztor”. Sipas institutit, 1,3 për qind e adoleshentëve dhe 8 për qind e të rinjve të rritur deklaruan se kanë konsumuar të paktën një herë në jetën e tyre gaz gastor me “tullumbace”.
Në prill 2026 në Gjermani u ndalua shitja e gazit gaztor për të mitur, sepse dëmton zemrën dhe sistemin nervor.
Nënvlerësimi i rreziqeve
I ngarkuari i qeverisë gjermane për çështjet e varësisë dhe të drogave, Hendrik Streeck, theksoi: “Varësia është gjithmonë pasqyrë e shoqërisë sonë dhe tregon edhe cenueshmërinë tonë.” Ai u shpreh i shqetësuar për shtimin e konsumit dhe ritmin e ndryshimeve në tregun e drogës.
“Të rinjtë kanë gjithnjë e më të lehtë aksesin në substanca gjithnjë e më të fuqishme. Kanalet digjitale e përshpejtojnë këtë akses dhe nënvlerësojnë rreziqet, të cilat janë reale dhe shpesh kërcënojnë jetën.” Është “iluzion i rrezikshëm” që kokaina konsiderohet si drogë për festa apo për performancë. Në të vërtetë, ajo krijon shpejt varësi dhe dëmton organizmin./DW



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.