Studimi, rendi i lindjes së fëmijëve ka ndikim në 150 sëmundje
Rendi i lindjes së fëmijëve mund të ndikojë në rrezikun për zhvillimin e dhjetëra sëmundjeve, nga autizmi dhe alergjitë deri te abuzimi me substancat.
Në këtë përfundim ka dalë një studim i cili thekson se rendi i lindjes lidhet me rrezikun për sëmundje në një shkallë më të gjerë nga sa mendohej më parë.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 10 milionë personave, nga familje me dy fëmijë, dhe identifikuan lidhje të rëndësishme me 150 sëmundje, duke filluar nga çrregullimet psikiatrike deri te problemet e aparatit tretës.
Gjetjet, të publikuara në revistën Nature Health, tregojnë se fëmijët e parë kanë më shumë gjasa të përballen me probleme neurozhvillimore, si autizmi dhe ADHD-ja, si edhe me alergji që lidhen me sistemin imunitar.
Ata rezultuan gjithashtu me rrezik më të lartë për çrregullimin obsesiv-kompulsiv , aknet dhe astmën.
Ndërkohë, fëmijët më të vegjël në familje shfaqën një prirje më të lartë për abuzimin me substancat, problemet gastrointestinale dhe disa sëmundje infektive,
Sipas autorëve, lidhja mes rendit të lindjes dhe rrezikut për sëmundje mund të shpjegohet nga një kombinim faktorësh fiziologjikë, imunologjikë dhe socialë.
Për sëmundjet alergjike dhe të frymëmarrjes, si alergjitë sezonale, ekzema dhe astma, fëmijët e parë mund të kenë një rrezik më të lartë sepse në vitet e para të jetës kanë më pak kontakt me mikroorganizma.
Në të kundërt, fëmijët më të vegjël ekspozohen që herët ndaj një shumëllojshmërie më të madhe mikrobesh, të sjella në shtëpi nga vëllezërit dhe motrat më të mëdha. Ky ekspozim i hershëm mund të ndihmojë në zhvillimin dhe rregullimin e sistemit imunitar.
Studimi zbuloi gjithashtu se efekti mbrojtës për fëmijët më të vegjël është më i fortë kur diferenca në moshë mes vëllezërve dhe motrave është më e vogël, duke mbështetur idenë se mikrobet mund të transmetohen drejtpërdrejt mes tyre.
Ndërsa rreziku më i lartë për abuzimin me substancat tek fëmijët e dytë lidhet kryesisht me faktorë socialë, si ndikimi dhe imitimi i sjelljes së vëllait ose motrës më të madhe, por edhe me prirjen e fëmijëve të lindur më vonë për të marrë më shumë rreziqe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.