SUDAN – Të paktën 36 të vrarë nga një sulm me dron në një treg
SUDAN, 27 tetor /ATSH-DPA/- Të paktën 36 persona janë vrarë nga një sulm me dron në një treg të mbushur me njerëz në qytetin Nyala, në rajonin e Darfurit Jugor, në Sudan, njoftoi sot organizata humanitare Mjekët pa Kufij (MSF).
Sipas organizatës, sulmi ndodhi dje në mbrëmje dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha. Një tjetër sulm me dron goditi një zonë banimi.
Në spitalin e Nyala-s, të mbështetur nga Mjekët pa Kufij, janë trajtuar gjithashtu më shumë se 150 të plagosur, mes tyre fëmijë me djegie të rënda dhe plagë nga copëzat e shpërthimit.
Ndërkohë, një zëdhënës i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grupi paramilitar që lufton kundër ushtrisë sudaneze, deklaroi se numri i viktimave civile arrin në 188, ndërsa 356 persona janë plagosur. Ushtria sudaneze nuk e ka komentuar sulmin.
Sulmet me dronë ndaj tregjeve janë përsëritur edhe më parë.
Më 16 tetor, një sulm i ngjashëm në një treg tjetër në Nyala vrau të paktën katër persona.
Një sulm në një treg në rajonin Abyei la gjithashtu të paktën 80 të vrarë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, sulmet me dronë kanë vrarë të paktën 1 120 civilë vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Lufta në Sudan, e nisur në prill 2023 mes ushtrisë dhe forcave paramilitare RSF, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka detyruar më shumë se 14 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, duke krijuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.