Sulm me dronë në rajonin rus të Voronezhit, dy të vrarë dhe 17 të plagosur, dëmtohet një tren pasagjerësh

Një sulm me dronë në rajonin rus të Voronezhit vrau dy burra dhe plagosi 17 persona, mes tyre një fëmijë, siç njofton Reuters duke iu referuar guvernatorit rajonal Alexander Gusev, i cili e bëri njoftimin të hënën.
Sipas Gusev-it, i cili shkroi në aplikacionin e mesazheve MAX, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 113 dronë mbi rajon. Guvernatori tha gjithashtu se në disa objekte industriale shpërthyen zjarre.
Nga sulmi u dëmtua edhe një tren pasagjerësh që udhëtonte drejt Moskës nga Anapa, në rajonin rus të Krasnodarit — një qytet i njohur për pushuesit rusë — dhe pesë pasagjerë u plagosën, sipas Hekurudhave Ruse. Qarkullimi i trenave përmes Voronezhit u pezullua.
Reuters thekson se nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur raportimin e palës ruse. Rajoni i Voronezhit ndodhet në Rusinë perëndimore, jo larg kufirit me Ukrainën, dhe sulmet me dronë në thellësi të territorit rus janë bërë pjesë e rregullt e luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.