Sulmi ndaj ambasadës së Vatikanit, reagon MEPJ: Dënojmë dhunën, Policia të zbardhë ngjarjen!
Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar aktet vandale në selinë e Nuciaturës Apostolike në Tiranë, godinë që shërben si përfaqësi diplomatike zyrtare e Selisë së Shenjtë të Vatikanit në Shqipëri.
Ishin disa protestues që sulmuan godinën gjatë protestës së zhvilluar dje e shoqëruar me akte të shumta dhune, tensioni dhe përplasjesh me forcat e policisë.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon aktet e vandalizmit të ushtruara dje tek selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, përfshirë heqjen e flamurit të Selisë së Shenjtë.
E drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë çdo formë dhune apo vandalizmi. Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit.
Ministria vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe së bashku me institucionet e përfshira, do të garantojë sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.