Supremja shfuqizon tarifën prej 3-eurove për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke hequr dispozitat që përcaktonin pagesën prej 3 euro në ditë për personat shoqërues të pacientëve të shtrirë në spital.
Vendimi është marrë në çështjen e konfliktit administrativ, pas padisë së Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)” kundër Ministrisë së Shëndetësisë, ku IKD kishte kërkuar shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor.
Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë, duke shfuqizuar pikën 4 të shtojcës 3 dhe pikën 5 të shtojcës 4 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.
IKD kishte kontestuar ligjshmërinë e dispozitave përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.
Në arsyetimin e paraqitur në padi, IKD kishte theksuar se Ligji nr.04/L-125 për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues, sipas tyre, nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.
Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të dispozitave kushtetuese e ligjore dhe administrimit të provave, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.
Në aktgjykim, Gjykata Supreme ka theksuar se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, ndërsa, sipas vlerësimit të saj, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Gjykata ka vlerësuar po ashtu se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Sipas vendimit, tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, duke pasur parasysh edhe praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit.
Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.