Surprizat e Festivalit të Filmit në Kanë
Juria e Festivalit të 79-të të Filmit në Kanë i dha “Palmën e Artë” filmit “Fjord” nga regjisori rumun Cristian Mungiu. Kjo është Palma e tij e dytë e Artë, pas asaj që iu dha filmit “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” në 2007.
Në “Fjord”, i frymëzuar nga ngjarje të vërteta, regjisori e vendos historinë e tij në Norvegji për t’u përballur me kontradiktat e një shoqërie që predikon tolerancën dhe hapjen ndaj të tjerëve, por mund t’i përjashtojë brutalisht ata që devijojnë nga rruga e përcaktuar për ta.
Duke fituar Palmën e Artë të dytë në Kanë, regjisori rumun Cristian Mungiu i bashkohet një klubi shumë ekskluziv regjisorësh dhe konfirmon talentin e tij si një vëzhgues i mprehtë i përçarjeve në vendin e tij dhe në shoqërinë perëndimore.
Filmi ka në qendër një çift rumunësh fetarë që zhvendosen në Norvegji për një jetë më të mirë, por përfundojnë në qendër të një hetimi për abuzim ndaj fëmijëve për shkak të mënyrës së ashpër të edukimit që përdorin ndaj djalit të tyre. Në komunitetin e tyre në Rumani, ajo mënyrë rritjeje konsiderohej normale. Por në Norvegji, autoritetet e interpretojnë ndryshe. Kjo përplasje mes kulturave, emigracionit, fesë dhe kufirit të hollë mes disiplinës dhe dhunës është tema kryesore që Mungiu trajton në film.
Në rolet kryesore janë aktorja norvegjeze Renate Reinsve, e njohur nga “The Worst Person in the World”, dhe Sebastian Stan, aktori me origjinë rumune që prej vitesh është bërë një nga emrat më të njohur në Hollywood. Kritikët e kanë cilësuar “Fjord” si një nga filmat më të fortë emocionalisht të këtij edicioni të Kanës, ndërsa shumë media ndërkombëtare e përshkruajnë si një dramë të ftohtë, të tensionuar dhe jashtëzakonisht aktuale për Evropën e sotme.
Ky film është “një mesazh për tolerancë, për përfshirje, për empati. Këto janë terma të bukur që të gjithë i duam, por duhet t’i zbatojmë më shpesh”, deklaroi ai pasi mori “Palmën e Artë”.
Mungiu i tha Reuters pas ceremonisë:
“Ju duhet të kontrolloni dyfish bindjet tuaja çdo herë e më pas dhe të siguroheni që nëse dikush nuk ndan të njëjtat pikëpamje si ju, nuk do të thotë se ai ka të drejtë ose se keni të drejtë.”
Regjizori rus, Andrey Zvyagintsev, i cili ka jetuar në Francë që kur nisi pandemia e COVID-19, gjatë fjalimit ndërsa mori çmimin e vendit të dytë për “Minotaur” përfitoi për t’i bërë thirrje Presidentit rus Vladimir Putin që t’i jepte fund luftës në Ukrainë, duke iu referuar rëndësisë së Kanës si një platformë.
“Kjo është një platformë e rëndësishme, kaq me ndikim, aq gjithëpërfshirëse. Të gjithë i shikojnë këto fjalime, dhe unë nuk mund të ndihmoja por të them ato që thashë. Të gjitha platformat e tjera do të kishin qenë më modeste, më pak domethënëse, disa diskutime ose paraqitje në YouTube në disa kanale televizive asnjë prej tyre nuk do të kishte qenë aq domethënëse. Kjo është arsyeja pse unë zgjodha këtë vend për të thënë atë që doja të them, atë që duhej të thoja.”
Në vendin e tretë u rendit “The Dreamed Adventure” nga regjisorja gjermane Valeska Grisebach, një histori e vendosur në Bullgari që ndjek jetën e një arkeologeje. Ndërkohë, surpriza e madhe e këtij viti ishte fakti që asnjë prej filmave amerikanë në garë nuk arriti të marrë çmim.
Çmimi për aktoren më të mirë shkoi për Virginie Efira dhe Tao Okamoto për interpretimin në dramën “All of a Sudden”, ndërsa çmimi për aktorin më të mirë u fitua nga Valentin Campagne dhe Emmanuel Macchia për filmin “Coëard”, i vendosur gjatë Luftës së Parë Botërore.
“Unë thjesht nuk mund të besoja që po dëgjoja emrin tim dhe iu drejtova regjizorit tim pranë meje teksa më përshëndeti duke buzëqeshur; më dukej e pabesueshme. Më pas u ktheva te Virginie, nuk do ta harroj kurrë atë moment në jetën time.”, tha Okamoto.
Juria e këtij edicioni u drejtua nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa pjesë e saj ishin emra të njohur si Demi Moore, Stellan Skarsgård, Chloé Zhao dhe Paul Laverty.
Në kategoritë e tjera, çmimi për regjisorin më të mirë u nda mes Paweł Pawlikowski për “Fatherland” dhe dyshes Javier Calvo, Javier Ambrossi për “The Black Ball”.
Ky edicion i Festivalit të Kanës u dominua nga histori të errëta, drama sociale dhe tema politike, por në fund ishte “Fjord” ai që mori vëmendjen më të madhe dhe vulosi rikthimin e Cristian Mungiut si një nga regjisorët më të rëndësishëm të kinemasë europiane moderne.
Por pas perdes së shkëlqimit dhe tapetit të kuq në Kanë fshihen rregulla strikte dhe tradita të panjohura. Përtej kinemasë, eventi karakterizohet nga ndalimi i selfie-ve, kodi i rreptë i veshjes dhe festat ekstravagante.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.