Presidenti i Koresë së Jugut urdhëron hetim të thelluar për rrjedhjen e të dhënave të bankave
Sulmet, ku dyshohet se është përdorur inteligjenca artificiale, kanë prekur disa nga bankat më të mëdha koreane; rregullatori flet për strategjinë "sulm AI, mbrojtje AI"
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka urdhëruar një hetim të thelluar dhe masa reagimi për incidentet e fundit të rrjedhjes së të dhënave personale në banka, kompani financiare dhe agjenci publike, siç njofton Reuters, citon deklaratën e zyrës presidenciale në Seul të dielën.
Kryetari i Komisionit të Shërbimeve Financiare (FSC), Lee Eog-weon, thirri të dielën një mbledhje urgjente me shoqatat e industrisë financiare, rregullatorët dhe drejtuesit e institucioneve të prekura, duke paralajmëruar se sektori duhet t’i përgjigjet me nivelin më të lartë të vigjilencës, sipas një deklarate të FSC-së.
Lee tha se autoritetet nuk mund të përjashtojnë mundësinë që në sulme të jetë përdorur inteligjenca artificiale dhe bëri thirrje për një qasje “sulm AI, mbrojtje AI”, duke sinjalizuar njëkohësisht përmirësime më të gjera në kuadrin e sigurisë kibernetike të sektorit financiar.
Mbledhja e së dielës erdhi pas bisedimeve të ngjashme të së premtes, kur FSC kishte bërë të ditur se Shinhan Bank, KB Kookmin Bank dhe banka të tjera kishin raportuar sulme kibernetike, ndërsa agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se edhe Hana Bank dhe Woori Bank kishin pësuar shkelje.
Rregullatori bëri të ditur se hetimet në terren kishin nisur pasi Shinhan Bank raportoi një shkelje më 30 shtator dhe më pas ishin shtrirë në incidente të tjera të raportuara. Institucionet financiare u udhëzuan të kryenin inspektime gjithëpërfshirëse sigurie, të shtrëngonin kontrollet e aksesit, të minimizonin aksesin e jashtëm të sistemeve dhe të forconin masat e mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas Yonhap-it, rregullatorët besojnë se sulmet mund të kenë skanuar gjerësisht shumë kompani financiare për dobësi, pa shënjestruar një institucion të vetëm, ndërsa trafiku i sulmit thuhet të ketë ardhur nga adresa IP në disa vende, përfshirë SHBA-në, Japoninë, Singaporin, Vietnamin dhe Britaninë. Mbledhja urgjente e së dielës u afrua nga 7 tetori, pasi u zbuluan shkelje të tjera në institucione financiare të rangut të dytë, raportojnë media koreane.
Partia kryesore opozitare, People Power Party, i kërkoi autoriteteve të hetojnë edhe mundësinë e përfshirjes së Koresë së Veriut, duke cituar sulme kibernetike të kaluara që i janë atribuuar Phenianit kundër institucioneve financiare të Koresë së Jugut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.