Ekonomia

Tabaku: Investimet nuk prodhojnë rritjen e dëshiruar ekonomike

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar sot lidhur me situatën ekonomike në vend ndërsa iu referua edhe deklaratës së FMN-së.

Tabaku shprehet se “qeveria po dështon në menaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet edhe si pasojë e informalitetit të lartë dhe keqmenaxhimit të taksave”.

“Qeveria po dështon tek shpenzimet, investimet janë jo eficiente dhe qytetarët e ekonomia nuk fitojnë prej tyre. Me pak fjalë investimet nuk prodhojnë rritjen e dëshiruar ekonomike, rritjen e punësimit dhe një shëndet më të mirë të ekonomisë. Situata me PPP është në kufijtë e çmendurisë, ato zënë 50% të PBB-së për vitin aktual duke e kthyer buxhetin e shqiptarëve në portofolin e miqve të qeverisë. Borxhi Publik pritet të rritet edhe më tej jo vetëm si pasojë e rritjes së PPP-ve por edhe si pasojë e rritjes së normave të interesit”, tha ajo.

Po ashtu Tabaku shton se “më e rëndë situata me shqiptarët që do të paguajnë më shumë për të blerë më pak ushqime. 51% e të ardhurave të familjeve tona shkon për ushqim dhe energji elektrike, do na shkojë edhe më shtrenjtë”.

“Transparenca me kontratat, me vendosjen e politikave fiskale dhe ligjeve kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore me biznesin dhe taksapaguesit por mbi të gjitha që vendosin në pikëpyetje buxhetin në lidhje me PPP. Mungesë e plotë transparence se sa nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për shqiptarët gjatë pandemisë dhe sa i kanë shkuar në xhep koncesionarëve. Mungesë e plotë transparence për fondet e rindërtimit ndërkohë që gjasat janë që keqpërdorimi është disa milionësh. Ndërkohë që lufta kundër informalitetit ka prodhuar një ekonomi edhe më shumë informale. Shenjat tregojnë se rritja e çmimeve do t’i bëj edhe më shumë dëm të ardhurave të shqiptarëve që do të bjerren nga pesha e inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Shqipëria e Ramës është ajo e varfëruar, me korrupsion, buxhet të shndërruar në portofolin e koncesionarëve dhe oligarkëve. Kjo nuk është qeveria e qytetarëve por e oligarkëve që abuzojnë në kurrizin dhe nga djersa e qytetarëve”, shprehet Tabaku.

Gjithashtu sekretari i Grupit të PD, Arbi Agalliu ka reaguar duke ju referuar deklaratës së FMN-së ku thekson se, “i ka dhënë goditje qeverisë në lidhje me rritjen e shpejtë të stokut të PPP që prite të arrijë në 50% në 2021”.

“Tjetër goditje nga institucionet ndërkombëtare për Qeverinë dhe pikërisht nga FMN i cili thekson saktësisht se: “rritja e shpejtë e stokut të Partneriteteve Publike Private (PPP) që pritet të arrijë në 50% të PBB-së në 2021, nga 33% vitin 2018 kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP)”, shprehet ai.

“Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020. Ka mungesë në transparence mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme”, tha ai.

“Kjo tregon edhe njëherë atë që Partia Demokratike ka thënë dhe denoncuar prej kohësh, abuzimin dhe aferat korruptiv që fshihen pas PPP-ve. Edhe gjatë takimit të zhvilluar pak ditë më parë me përfaqësues të FMN-së ndamë këto shqetësime të cilat mbajnë peng zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, përfundoi Agalliu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button