Tabaku: Veliaj dhe Rama nuk mbajtën premtimet për biznesin
Deputetja e PD, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat ka akuzuar kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj se ai dhe qeveria ku bënte pjesë nuk mbajti premtimet ndaj biznesit.
Në një komunikim me mediat, Tabaku deklaroi se në 2 vjet qeverisje, Rama dhe Veliaj rritën taksat për biznesin e vogël, çmimin e energjisë dhe papunësinë me 7 për qind dhe tani në fushatë elektorale përsërisin të njëjtat premtime.
“Njësoj si dy vjet më parë, Erioni i premtoi biznesit të vogël uljen e taksave, megjithëse dy vjet në qeveri nuk pati asnjë nismë për të ulur taksat dhe tarifat për këtë biznes. Përkundrazi, 97% e shqiptareve patën rritje taksash. A mos vallë është lehtësim për biznesin e vogël shtimi i barrës për sigurimet shoqërore? A mos është lehtësim për biznesin e vogël rritja e taksës së ndërtesës? Apo mos është lehtësi fiskale rritja e tarifimit të energjisë elektrike për këto biznese?”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se, deri më tani, të dy paketat fiskale të ndërtuara nga qeveria jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin e biznesit, por e kanë shpërfillur atë edhe kur ky zë u ka ardhur në formë amendamentesh.
“Të dhënat e INSTAT, flasin për përkeqësimin e klimës së biznesit. Të dhënat e Ministrisë së Financave për katër mujorin tregojnë se kemi rënie të pagesës së biznesit të vogël, nga paaftësia e qeverisë. Ndërkohë që Heritage Foundation e ka ulur me 9 pozicione renditjen e vendit tonë në listën e të bërit biznes”, vijoi Tabaku.
Duke i kujtuar Veliajt se, në qeveri mbronte idenë që rritja e taksave sjell rritje punësimi, deputetja demokrate nenvizoi se, kjo solli rritje të papunësisë me 7%, “sipas vetë INSTAT-it të qeverisë”.
“Veliaj i premtoi bizneseve se do të krijojë fondin e punësimit, por ndërkohë harron të na thotë se ku ka shkuar fondi prej 4.5 milionë dollarë që duhet të punësonin të rinj në Fier dhe Vlorë. Si ka mundësi që shqiptarët po largohen nga vendi ndërkohë që ish-ministri përgjegjës për punësimin pretendon se ka shpenzuar një fond prej 2.7 milionë dollarësh për punësimin? Ku kanë shkuar këto para në një kohë që papunësia u rrit me 7% vetëm në dy vitet e fundit?”, shtoi Tabaku.