Tahiri me prokurorin antimafia të Leçes: Bashkëpunim për një kontroll efikas të kufijve
Kontrolli efikas i kufijve ka qenë në fokus të bisedimeve mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri më Prokurorin e Antimafias në Leçe të Italisë, Cataldo Motta, dhe zv.prokurorin e Republikës Guglielmo Cataldi.
Bashkëbiseduesit theksuan se prezenca e policisë italiane, përmes misioneve të saj në Shqipëri, është një dëshmi e fortë e bashkëpunimit dhe garanci për transparencë.
Palët nënvizuan gjithashtu se një kontroll efikas i kufijve kontribuon për të parandaluar paligjshmëritë.
Ata theksuan mirëkuptimin mes Italisë e Shqipërisë për të përforcuar bashkëpunimin në sektorin e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizimit, për administrimin e kufijve, si dhe për të rritur aftësinë e forcave policore të të dy vendeve për këtë qëllim.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes autoriteteve ligjzbatuese në të dy vendet, si dhe nevoja e zgjerimit dhe intensifikimit të këtij bashkëpunimi.