TALIN – Estonia: Sulmi me dron në Leipzig tregon se Rusia është kërcënim për të gjithë Evropë
TALIN, 1 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria estoneze deklaroi sot se sulmi i dështuar me një dron me eksploziv, në aeroportin e Leipzigut tregon se Rusia përbën një kërcënim për të gjithë Evropën.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha sot në mbrëmje se Moska është e gatshme të kryejë sulme vdekjeprurëse edhe përtej kufijve të saj.
“Kjo konfirmon edhe një herë se Rusia është e gatshme të kryejë sulme në territorin evropian dhe përtej kufijve të saj, edhe duke rrezikuar shkaktimin e viktimave”, tha Tsahkna në Talin.
Sipas tij, incidenti është pjesë e një serie më të gjerë provokimesh ruse, që synojnë të frikësojnë Perëndimin dhe ta detyrojnë atë të tërheqë mbështetjen për Ukrainën.
Kryeministri estonez, Kristen Michal, shkroi në rrjetin social X se, Estonia e dënon fuqishëm incidentin, duke e cilësuar atë si një përshkallëzim të rrezikshëm të sulmeve hibride të Rusisë në Evropë.
“Synimi i saj është të na frikësojë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën. Kjo nuk do të funksionojë. Përgjigjja jonë duhet të jetë e kundërta, më shumë mbështetje për Ukrainën dhe më shumë presion ndaj Rusisë”, shkroi Michal.
Edhe qeveritë e dy vendeve të tjera baltike, Letonisë dhe Lituanisë, shprehën qëndrime të ngjashme dhe deklaruan solidaritetin e tyre me Gjermaninë.
Më herët, ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt dhe ministri i Jashtëm, Johann Wadephul e cilësian Rusinë si përgjegjëse për incidentin me dronin dhe njoftuan masa ndëshkuese. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.