Tarifat e energjisë, tre kompanitë publike dërgojnë në ERE aplikimet për 2021, dy kërkojnë rritje
Aplikimet e bëra publike nga ERE tregojnë se OST ka kërkuar ndryshimin e tarifës nga 0.75 lekë/kwh në 1.31 lekë/kwh duke argumentuar se nevojat e saj për të ardhura janë dukshëm të larta për shkak të kredive që duhet të paguajë. Vetë kompania ka bërë një vlerësim për detyrimet që duhet të përmbushë për këtë vit. “Ju bëjmë me dije se për vitin 2021 OST duhet te paguajë rreth 2,954 milion leke në bazë të marrëveshjeve për ripagimin e kredive me Ministrinë e Financave dhe KESH.
Tarifa aktuale e transmetimit (0.75 lekë/kWh), do të krijojë një pamundësi për realizimin e plotë të investimeve si dhe për shlyerjen e detyrimeve korrente për huatë afatgjata. Për kryerjen e aktivitetit normal të OST sh.a., për të mundësuar mbulimin e plote me fonde të shpenzimeve, investimeve dhe shërbimin e borxhit, është mjaft e rëndësishme miratimi i tarifës në nivelin e kërkuar prej 1.31 lekë/kËh” thuhet në aplikimin që është depozituar në ERE.
Aplikimi i OSSH
Kompania tjetër që vepron nën Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes depozitoi në ERE kërkesën e saj për tarifat e shpërndarjes sipas nivelit të tensionit për vitin 2021. Referuar kërkesës OSSH ka kërkuar që tarifat sipas nivelit të tension it te Operatorit te Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike per vitin 2021 të jenë si vijon: a) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 35 kv -3.70 Leke/Kwh ; b) Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension 0.6 -20 kv – 4.00 Lekë/Kwh; c) Tarifa e shpërndarjes se energjisë elektrike në tension 0.4 kv – 6.30 Lekë/Kwh.
Aktualisht sipas tarifave në fuqi që janë të publikuara në faqen e ERE tarifa e shërbimit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV është 1.5 lekë/kwh pra një rritje me 2.5 herë në aplikimin e bërë nga OSSH.
Tarifa e shërbimit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 20 Kv aktualisht është 3.9 lekë/kwh dhe rritja e kërkuar nga OSSH është me 2.5 për qind ndërsa tarifa mesatare e shërbimit të shpërndarjes aktualisht është 4.79 lekë/kwh.
Furnizuesi i Shërbimit Universal nuk kërkon rritje
Në aplikimin e Furnizuesit të Shërbimit Universal edhe pse është bërë një argumentim mbi situatën e përgjithshme të kompanisë është theksuar se përmirësimi i situatës hidrike nuk e bën të nevojshme rritjen.
“Sasia e energjisë që do të shitet për konsumatorët tariforë për vitin 2021 parashikohet të jetë 5,128 Gwh. Shpenzimet Operative janë llogaritur bazuar në shpenzimet e pritshme të vitit 2020 duke marrë parasysh edhe koeficientin inflativ të rritjes së çmimeve. Menaxhimi i shoqërisë i ka kushtuar rëndësi për çdo zë të shpenzimeve megjithatë është ndeshur me nevojën e rritjes të disa prej tyre nga viti në vit për të rritur performancen duke ushtruar një kontroll më të madh në përmirësimin e sistemit të faturimit.
Nga përllogaritjet kërkesa për të ardhura në vitin 2021 në llogaritjen e çmimit të shitjes me pakicë te energjisë elektrike rezulton të jetë rreth 56.2 miliard lekë.
Nga përllogaritjet rezulton se totali i te ardhurave të kërkuara për Furnizuesin Universal në vitin 2021 është 56,192 milion Leke me një ulje prej rreth 2.7 miliard Lekë ne krahasim me vitin 2020. Ulja e kostos planifikimit të energjisë së blerë per klientët e FSHU si rrjedhoje e fuqizimit me te mire nga KESH është faktori kryesor i kësaj uljeje. OSHEE lidhur me tarifat dhe çmimet e shitjes së Energjisë Elektrike ne vitin 2021 propozon sa vijon:
Në përfundim: Meqenëse tarifa mesatre e përllogaritur sa më lart për vitin 2021 është thuajse e njëjtë me atë të vitit 2015, duke u mbështetur në përvojën shumë pozitive të arritjeve të periudhës 2015- 2017 shoqëria propozon që: a) (Çmimi mesatar i energjisë elektrike si dhe çmimet e detajuara sipas vendimit të ERE Nr148 date 25.12.2014, të mos ndryshojnë; b) (çmimi i shitjes për konsumatorët e lidhur në TM dhe me matës në TU sipas vendimit të ERE Nr128 date 29.0 7.2016, të mos ndryshojë; c) çmimi i shitjes së energjisë elektrike për kategorinë Objekte Kulti/Bashkësi Fetare sipas vendimit te ERE Nr. 53 date 06.04.2017, të mos ndryshojë” thuhet në aplikimin e FSHU.