Tasholli: Protesta e 1 tetorit nuk do të jetë marsh — tubim në sheshin “Skënderbeu”, ftesë edhe për liderët politikë
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ismail Tasholli nga platforma "Liria ka Emër" thotë se pikat e nisjes së autobusëve do të publikohen; protesta pritet të zgjasë 1–1.5 orë, me 5–6 folës, dhe do të jetë tërësisht paqësore
Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës “Liria ka Emër”, ka zbuluar detaje të reja për protestën e 1 tetorit në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, duke sqaruar se ajo nuk do të zhvillohet në formën e marshit, siç ishte njoftuar më herët, por si tubim në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, të ripublikuar edhe nga Radio Llapi dhe Klan Kosova, Tasholli tha se ftesa për protestë u është dërguar të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe krerët e partive politike.
“Ne jemi në kontakt me të gjithë. Ka kontakte, kemi biseduar me ta, ftesa është bërë të gjithëve, sepse edhe krerët e partive janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Tasholli.
Ai ka bërë të ditur se pikat e grumbullimit me autobusë për çdo komunë do të publikohen publikisht dhe se në çdo komunë do të dihet pika e nisjes drejt Prishtinës.
Protesta, sipas tij, pritet të zgjasë një deri në një orë e gjysmë. Do të ketë 5–6 folës, mes të cilëve fëmijë të dëshmorëve, pjesëmarrës të protestave të 1 tetorit të vitit 1997, studentë dhe organizata të veteranëve, ndërsa në fund tubimi do të mbyllet me një pikë muzikore me këngë patriotike.
Tasholli u bëri thirrje qytetarëve që të vijnë me familjet e tyre, duke garantuar se protesta do të jetë tërësisht paqësore.
Protesta e 1 tetorit mbahet si reagim ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Tubimi pritet të nisë në orën 16:00, ndërsa sot në orën 14:00 platforma “Liria ka Emër” mban konferencë për media.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.