Taylor Swift në telashe ligjore për albumin e saj

Taylor Swift, është përfshirë në një tjetër përplasje ligjore lidhur me albumin e saj “The Life of aShowgirl”. Këtë herë, këngëtarja dhe avokatët e saj po kundërshtojnë përpjekjet e një ish-artisteje të Las Vegasit, e cila pretendon se Swift ka shkelur të drejtat e saj mbi një markë tregtare.
Konflikti ka nisur nga Maren Flagg, e njohur profesionalisht si Maren Wade, e cila pretendon se titulli i albumit të Taylor Swift ngjason në mënyrë të konsiderueshme me markën e saj “Confessions of a Showgirl”, të regjistruar në vitin 2015.
Flagg pretendon se përdorimi i këtij emërtimi nga këngëtarja mund të krijojë konfuzion te publiku dhe të dëmtojë biznesin që ajo ka ndërtuar ndër vite përmes shfaqjeve, një libri dhe projekteve të tjera artistike.
Në zhvillimin më të fundit të çështjes, ekipi ligjor i Taylor Swift ka kundërshtuar kërkesën e palës tjetër për ta marrë këngëtaren në pyetje nën betim për deri në tre orë. Avokatët e saj e kanë cilësuar këtë kërkesë si të tepruar dhe madje potencialisht ngacmuese, duke kërkuar që procesi i mbledhjes së provave të pezullohet deri në shqyrtimin e kërkesës për rrëzimin e padisë.
Nga ana tjetër, avokatja e Maren Flagg argumenton se aktivitetet profesionale të Swift në Kaliforni justifikojnë që këngëtarja të merret në pyetje në lidhje me lidhjet e saj tregtare me këtë shtet.
Maren Flagg kërkon dëmshpërblim për dëmin që pretendon se i është shkaktuar biznesit dhe reputacionit të saj, si dhe ndërhyrjen e gjykatës për të ndaluar përdorimin e emrit të albumit nga Taylor Swift.
Këngëtarja dhe përfaqësuesit e saj i kanë kundërshtuar pretendimet, duke i cilësuar ato të pabazuara.
Seanca për mosmarrëveshjen mbi mbledhjen e provave është planifikuar për 9 dhjetor 2026, ndërsa kërkesa e Taylor Swift për rrëzimin e padisë pritet të shqyrtohet më 3 shkurt 2027.
Deri më tani, gjykata nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi pretendimet për shkeljen e markës tregtare dhe çështja mbetet e hapur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.