Rajoni

Të dielën, vendimi për referendumin nga Parlamenti grek

Parlamenti grek do të miratojë ose jo pasditen e së dielës kërkesën e kryeministrit grek dhe kabinetit të tij për të thirrur referendum popullor më 5 korrik. Në referendum qytetarët ftohen të përgjigjen me “po” se “jo” lidhur me marrëveshjen e reformave që kreditorët i propozojnë Greqisë.

Aleksis Tsipras ka arritur në këtë vendim, pasi negoaciatat me partnerët kishin mbetur prej disa javësh në një udhëkryq dhe ngërçi nuk mund të zgjidhej, sepse të dyja palët insistonin në pozicionimet e tyre.

“Pak më parë thirra një mbledhje të kabinetit, në të cilën kam sugjeruar mbajtjen e një referendumi në mënyrë që populli grek të mund të vendosë në mënyrë sovrane. Propozimi u pranua njëzëri. Nesër, Parlamenti do të ketë një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar propozimin e Këshillit Ministror për një referendum të dielën, më 5 korrik, me pyetje pranimin apo refuzimin e propozimit të kreditorëve”, deklaroi Tsipras.

Tsipras ka lajmëruar edhe Presidentin Hollande bashkë me Kancelaren Merkel, e cila i ka theksuar në bisedën telefonike që ka pasur se, ky referendum në thelb ka si pyetje qëndrimin në Eurozonë apo largimin prej saj.

Vendimi për referendum ka gjetur përkrahjen e gjithë ministrave të kabinetit, të cilët, kur kanë dalë nga mbledhja urgjente kanë shprehur mbështetjen me deklaratat e tyre dhe u kanë bërë thirrje grekëve që përgjigjja të jetë “jo”.

“Tashmë është koha e popullit grek për të folur dhe për të vendosur dhe kështu që ky është edhe një moment i madh për demokracinë në Europë. Njerëzit në Europë duhet të kenë një rol për politikat ekonomike, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një përzierje ekonomike. Përndryshe, pse bëhen zgjedhje në Europë?”, deklaroi Georgios Katruvalos, ministër i Reformës Administrative.

Udhëheqësi i konservatorëve, Andonis Samaras deklaroi se ky referendum përçan poullin grek, ndërsa ish-lideri i PASOK, Venizellos, e ka cilësuar si një tentativë për grusht shteti.

Ndërkohë, disa media gjermane e kanë quajtur “frikacak” kryeministin Tsipras, i cili heq përgjegjësinë nga vetja për vendimet dhe e hedh topin tek qytetarët. Kurse ato britanike flasin për një zhvillim dramatik që rrit ankthin në Europë.

Për arsye se e premtja ishte një ditë që u paguan pensionet dhe rrogat, por edhe me frikën e së nesërmes, pranë bankomatëve janë vërejtur radhë njerëzish që tërhiqnin para deri në kufirin e lejueshëm, ndërkohë që vlerësohet se përsëri edhe këtë javë miliarda euro kanë ikur nga bankat greke.

Ndërkohë, burime pranë BE-së vlerësojnë se ka ardhur ora për planin B, që do të diskutohet në samitin e Eurogrupit në mbrëmje, ndërsa pritet që si masë e parë të ndërmerret nga BQE kontrolli i kapitalit për të shmangur tërheqjen masive të parave nga bankat greke.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button