Teatri i abuzimit në RTSH/ Qan për krizë dhe lyp 200 milionë lekë nga qytetarët, ndan 4.5 mln euro me Karkinin

Në fund të vitit të kaluar, Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili, iu drejtua Ministrisë së Financave me një kërkesë emergjente për një fond shtesë prej 200 milionë lekësh me argumentin se televizioni publik ndodhej në krizë të thellë financiare.
Sipas kërkesës, RTSH gjendet në kushte kritike për të përmbushur detyrimet, i rënduar edhe nga humbja e miliona lekëve nëpër gjykata për shkak të shkarkimeve të paligjshme të punonjësve ndër vite.

Por, ndërsa qytetarëve u kërkohet të shtrëngojnë rripin për të shpëtuar televizionin publik, prapaskenat e prokurimeve tregojnë një tjetër histori.
Paratë që Eni Vasili i kërkoi Kuvendit u ndanë në tenderin e mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes, ku RTSH zgjodhi fituese ofertën 1.2 milionë euro më të lartë se oferta më e ulët dhe 4.5 milionë euro më shtrenjtë se fatura e këtij shërbimi në 5 vitet e shkuara. Një batërdi kriminale.
Zanafilla e një grabitje
Tenderi 10 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes së RTSH u çel për herë të parë në mars të vitit të kaluar nga ish drejtoresha Aurora Polo.
Në garë u paraqitën tre oferta, ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë TBS 96 me 7.6 milionë euro. Kompania R&T ofroi çmimin 8 milionë euro, ndërsa oferta e tretë ishte ajo e bashkimit të kompanive Idea Tel dhe Real Com të cilat ofruan çmimin 9 milionë euro.
Polo nuk arriti ta përfundojë dot tenderin pasi u shkarkua nga detyra dhe në krye të RTSH-së u emërua Eni Vasili. Tre ditë pas marrjes së detyrës, Vasili vendosi skualifikimin e të treja ofertave dhe anullimin e tenderit. Por ky vendim u ankimua në KPP nga kompania kompania TBS 96 dhe R&T.
Komisioni i Prokurimit Publik hodhi poshtë vendimin e Vasilit për anullimin e tenderit dhe e urdhëroi RTSH-në që të shpallte fituese kompaninë R&T, e cila kishte ofruar vlerën 8 milionë euro.

Shpallja fitues e R&T nga KPP
Por Radio Televizoni Shqiptar nuk e zbatoi vendimin e KPP, edhe pse ky ishte një detyrim ligjor, duke e anulluar sërish tenderin me argumentin se kompania e shpallur fituese nga KPP, nuk vërtetoi që nuk kishte qenë e dënuar.

Argumenti i TVSH per moszbatimin e vendimit te KPP
Megjithatë veprimeve të guximshme të RTSH-së, iu doli krisma më vonë.
Në shtrat me Idea Tel
Lufta e RTSH me sa duket kishte një qëllim. Ai ishte kompania Idea Tel, e cila ofertonte gjithmonë vlerën më të lartë, në kokë të fondit limit.
Pas anullimit të tenderit të parë, RTSH e shpalli sërish tenderin e mirëmbajtjes. Këtë herë, RTSH ndryshoi kriteret duke futur si kusht të domosdoshëm autorizimin e prodhuesit për pajisjet e antenave, edhe pse kishte një vendim të KLSH, i cili urdhëronte që autorizimi mos të kërkohej pasi paracaktonte fituesin.
Në tenderin e dytë u paraqitën tre oferta, por njëra prej tyre ishte fiktive e futur nga vet Idea Tel. Dy kompanitë, TBS 96 dhe R&T hynë se bashku me ofertën 787 milionë lekë ose 8.65 milionë euro me kursin aktual. Ndërsa kompania Idea Tel ofertoi çmimin 899.3 milionë lekë ose rreth 9.9 milionë euro, pra sa 99.3 për qind e fondit limit.
Vendosja e kriterit të autorizimit ishte çelësi për ta çuar tenderin tek Idea Tel. Kjo kompani kishte krijuar qarkun e shkurtër me Rohde & Schwarz, kompaninë gjermane që kishte ndërtuar rrjetin të antenave të RTSH. Kjo ishte arsyeja se pse, Idea Tel ofertonte gjithmonë në kokë të fondit limit, pasi kishte marrë garancitë se fituesja do të ishte ajo.
Intrigat e autorizimit
Idea Tel kishte autorizim nga Rohde & Schwarz. Bashkimi i kompanive R&T dhe TBS 96, paraqiti autorizimin nga një kompani kineze, e quajtur Xiamen General Electronic, e cila ishte distributor i autorizuar nga Rohde & Shwarz.
Pas zhvillimit të tenderit, nisën intriga. RTSH i kërkoi kompanisë kineze, konfirmim nëse autorizimi i saj ishte origjinal. Ky veprim i pazakontë, kishte në prapaskenë një intrigë të madhe. Idea Tel kishte lobuar tek Rohde & Shwarz, që të detyronte kompaninë kineze të tërhiqte autorizimin.
Në përgjigjen e saj të parë për RTSH, kompania kineze e mohoi autorizimin. Sapo mbërriti përgjigja, Eni Vasili e skualifikoi menjëherë ofertën e dy kompanive R&T dhe TBS 96 me argumentin e falsifikimit duke shpallur fituese Idea Tel.
Por më vonë kinezët ridërguan një tjetër përgjigje, ku konfirmonin se autorizimi që kishin lëshuar për dy kompanitë nuk ishte fals, por ishte origjinal dhe legjitim. Megjithatë, ata kishin vendosur ta revokonin atë, me argumentin se ishin autorizuar nga Rohde & Shwarz vetëm për territorin e Kinës.

Revokimi
Veprimi i pazakontë i RTSH për të kërkuar konfirmim nga kompania kineze duket se ishte i shtyrë dhe i koordinuar nga ai që mbante frenat e Rohde & Shwarz. Ky ishte Idlir Karkini, pronari i kompanisë Idea Tel, i cili më parë kishtë qenë nënkontraktori i tyre. Gjithçka do të bëhej më e qartë më vonë.
Akuza nga brenda për korrupsion
Ndërkohë që RTSH po shpallte fituese kompaninë Idea Tel, Kapitali publikoi akuzën bombë nga një anëtar i Komisionit të Tenderit në TVSH. Një nga 5 anëtarët e KVO-së, i caktuar nga vetë RTSH, denonconte se vlera e tenderit që u fitua nga Idea Tel e biznesmenit Idlir Karkini është fryrë me 60 për qind krahasuar me çmimin që ka kushtuar i njëjti shërbim në katër vitet e mëparshme.
“I njëjti operator (Idea-Tel) ka kryer me nënkontraktim shërbimin për periudhën 2021-2025 me një çmim prej 5.6 milionë euro pa tvsh. Ndërkohë që për të njëjtin shërbim (e njëjta periudhë dhe objekt pune) ka ofruar 9 milionë euro ose 61 për qind më shumë” thuhet në opinionin denoncues, që anëtari i KVO i ka bashkangjitur vlerësimit të fituesit.

Denoncimi bombe i anetarit te KVO
Fondi limit i tenderit për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2 të RTSH për një periudhë katër vjeçare ishte paracaktuar 906 milionë lekë. Idea-Tel dhe Real Com u shpallën fituese me çmimin 899.3 milionë lekë ose sa 99.3 për qind e fondit limit. Domethënë në një tender prej 10 milionë euro RTSH kurseu vetëm 70 mijë euro. Këto çmime ofrohen vetëm kur tenderi nuk ka presion konkurrues dhe kompania e paracaktuar fituese nuk ka frikë nga konkurrenca.
Por fryrja e fondit nuk ishte çështja e vetme. Anëtari i KVO denoncoi se kompania fituese nuk përmbushte as kriteret. “Tek Idea-Tel dhe Real Com mungojnë diplomat e universitetit për katër inxhinierë dhe kontratat e punës për të gjithë stafin e deklaruar. Gjithashtu në bazë të informacionit në dosje nuk mund të provohet nëse stafi inxhinierik i të dy kompanive ka eksperiencë të punës në lidhje me sistemet DVB-T2,” vijon shkresa.
Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga një prej anëtareve të KVO, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH shpalli fitues bashkimin e kompanive Idea-Tel dhe Real Com në një proces prokurimi pa garë dhe me vlerë të fryrë gati dyfish.
E gjithë kjo farsë u çertifikua nga KPP, e cila nuk pranoi të hapte letrat e kompanisë së shpallur fituese për të verifikuar nëse ajo i plotësonte apo jo kushtet.
Kush mban përgjegjësi?
Ky tender ngre pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e menaxhimit të fondeve në RTSH. Si mundet një institucion publik që deklaron se është në prag të falimentit, të refuzojë kursimin e 1.2 milionë eurove dhe të pranojë një ofertë të fryrë me 4.5 milionë euro më shumë se kontrata e kaluar?
Eni Vasili ka paralajmëruar një auditim të thelluar të financave ndër vite. Por me certifikimin e këtij tenderi të fundit, skemat e zhvatjes së parave publike po vazhdojnë përpara syve të institucioneve të kontrollit.
RTSH është institucion i mykur nga korrupsioni. Një televizion publik, i cili kërkon para shtesë nga qytetarët për të financuar abuzimet në tenderat publikë.








Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.