Shkresa zyrtare/ ARRSH falsifikoi dokumentat e tenderit 50 mln euro të mirëmbajtjes për të fshehur krimin

Një kompani paraqet letra false në tenderin 50 milionë euro të mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare për të plotësuar kriteret e detyrueshme. Autoriteti Rrugor e shpall kompaninë fituese. Skandali denoncohet nga Kapitali, i cili publikoi dokumentat e falsifikuara. (Lexo ketu). Çfarë ndodh më pas?
I kapur gafil, Autoriteti Rrugor Shqiptar zhytet edhe më thellë në krim duke i zëvendësuar letrat e falsifikuara, pasi tenderi ishte zhvilluar dhe kompania ishte shpallur fituese. Pra ndryshim i dokumentave pas garës.
Ky në foton më poshtë është dokumenti që provon falsifikimin e rëndë për lotin e dytë të tenderit të mirëmbajtjes, i cili kishte një fond limit prej 1.1 miliardë lekësh ose 12 milionë euro.

Në këtë dokument, kompania fituese Bami pranon se në formularin e deklarimin kishte deklaruar se dispononte një borëpastruese të çregjistruar. Por pasi skandali u bë publik, shoqëria thotë se e ka zëvendësuar atë më një mjet tjetër. E gjitha kjo pranohet nga ARRSH, edhe pse tenderi ishte zhvilluar.
Manipulim dhe paracaktim fituesi
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare në 4 vitet e ardhshme ishte me dy faza. Në fazën e parë, e cila ndryshe quhet short listing, kompanitë duhet të dorëzonin dokumentat për të provuar se dispononin kapacitetet e nevojshme për të kryer shërbimin.
Njëri nga këto kritere ishte zotërimi i 11 borëpastrueseve, të cilat do të garantonin mirëmbajtjen e rrugëve. Nëse një kompani nuk i zotëronte këto borëpastruese, atëherë ajo skualifikohej automatikisht nga tenderi.

Këto janë borëpastrueset e deklaruara nga kompania Bami. Siç duket në foto, njëra prej tyre është borëpastruesja me targa AA981J. Mbi bazën e këtyre dokumentave, Autoriteti Rrugor Shqiptar i skualifikoi të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në fazën e parë duke kualifikuar vetëm Bamin. Por Kapitali e denoncoi skandalin dhe publikoi dokumentat e falsifikuara.
Ky ishte dokumenti që provonte se borëpastruesja me targa AA 981 J, e paraqitur në formular nga kompania Bami, rezultonte e çregjistruar.

Pas publikimit të skandalit, dhe pasi njëra prej kompanive të tjera garuese, Alko Impex, e denoncoi falsifikimin e letrave në KPP, shoqëria Bami ka paraqitur një deklaratë tjetër ku zëvendëson mjetin e çregjistruar.
Kjo pasi tenderi ishte zhvilluar dhe ajo ishte shpallur fituese në fazën e parë, duke qenë kompania e vetme e kaluar në fazën e dytë, që kishte të drejtën për të bërë ofertë financiare.
Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka pranuar zëvendësimin e letrave të falsifikuara, pas garës. Ky është një falsifikim i rëndë, i cili përbën vepër penale. Praktikisht ARRSH ka manipuluar tenderin duke paracaktuar fituese një kompani që nuk përmbushte kriteret, dhe më keq akoma duke ndryshuar letrat pas garës, për të fshehur krimin.
SPAK
çështja e tenderit të mirëmbajtjes tashmë është në SPAK. Ky dokument e bën shumë më të lehtë punën e prokurorëve për të provuar falsifikimin dhe manipulimin e tenderit nga ARRSH, pasi krimi tashmë është i faktuar.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët shpallën fituese kompaninë me letra false, e kanë përsëritur krimin edhe më rëndë kur kanë pranuar zëvendësimin e letrave të falsifikuara pas garës.
Kjo u ngarkon atyre edhe faktin se kanë qenë të vetëdijshëm për atë që po bënin duke u hequr mundësinë të fshihen pas justifikimin se nuk e dinin që letrat ishin të falsifikuara.
Me pak fjalë, ky është një skandal edhe më i rëndë se ai i Unazës, ku po ashtu u shpall fituese një kompani me letra false. Por në atë rast, pasi skandali u bë publik ARRSH e anulloi tenderin.
Në këtë rast ka ndodhur e kundërta. Edhe pse ishte e vetëdijshme për letrat e falsifikuara, ARRSH ka vazhduar përpara me proçedurën duke pranuar dhe ofertën financiare të kompanisë në fazën e dytë, si dhe duke e shpallur fituese atë.

Madje, zinxhiri i përgjegjësive duhet të zgjerohet edhe më tej duke përfshirë edhe Komisionin e Prokurimeve Publike, i cili ndonëse u informua se kompania fituese ishte shpallur e tillë me letra të falsifikuara, jo vetëm që nuk e skualifikoi atë, por lejoi vazhdimin e tenderit.






Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.