TEHERAN – Irani kërcënon me sulme ndaj kabllove të internetit nënujor në Ngushticën e Hormuzit
TEHERAN, 21 tetor /ATSH-DPA/- Forcat e armatosura të Iranit kanë kërcënuar se do të godasin kabllot e internetit nënujor në Gjirin Persik, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmojnë infrastrukturën civile të vendit.
“Nëse SHBA-ja kërkon të dëmtojë infrastrukturën tonë, është e vetëkuptueshme se Republika Islamike do të përdorë të gjithë fuqinë e saj për të shkatërruar lehtësisht kryeqytetin dhe asetet e tyre”, deklaroi sot gjenerali iranian Yadollah Javani, pjesëtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për transmetuesin shtetëror Al-Alam.
Ai tha se objektiva të mundshëm janë edhe kabllot e internetit, përfshirë shtatë kabllo kryesore që kalojnë nën ujë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Republika Islamike pa dyshim mund t’u shkaktojë dëme të rënda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tyre në rajon në këtë mënyrë”, shtoi gjenerali.
Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat kryesore të tensionit mes Teheranit dhe Uashingtonit, që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Javët e fundit, forcat iraniane kanë shtuar sulmet ndaj anijeve cisternë me naftë dhe anijeve të transportit të mallrave, në përpjekje për të rritur çmimet dhe për të shtuar presionin politik të brendshëm ndaj presidentit amerikan Donald Trump, përpara zgjedhjeve për Kongresin amerikan.
Ngushtica e Hormuzit nuk është vetëm një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Ajo është gjithashtu një korridor i rëndësishëm për disa kabllo me fibra optike, të vendosura në fund të detit, të cilat lidhin vendet e Gjirit Persik me rrjetet ndërkombëtare të transmetimit të të dhënave. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.