Kompania MTEL, anëtare e Telecom Serbi, filloi dje të operojë në tregun vendor të telekomunikacionit, me ofertë për televizion satelitor. Drejtuesit bëjnë të ditur se nga viti i ardhshëm do të ketë një zgjerim në fushën e telefonisë mobile. Hapet dyqani i parë në Shkup. Kompania tashmë ofron shërbime për më shumë se 11 milionë abonentë në rajon dhe në Evropë. Dyert e dyqanit të parë të shitjes MTEL në Maqedoninë e Veriut, rruga Makedonija-Shkup i hapën drejtorët e përgjithshëm të Telekom Serbia dhe MTEL, Vladimir Lukiq dhe Marko Lopicic. “Vendimi ynë afarist për ta zgjeruar biznesin tonë në Maqedoninë e Veriut, nga këndvështrimi ynë është plotësisht i saktë dhe do të sjellë konkurrencë të re, shërbime të reja. Pas shërbimit të parë që do të fillojmë me TV satelitor, nga viti i ardhshëm planifikojmë ta zgjerojmë edhe në segmentin e telefonisë mobile”, deklaroi Vlladimir Lukiq – Drejtor i Përgjithshëm i Telecom Serbi. Kompania Telecom Serbi ka filiale në Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. "Ne jemi kompani që dëshiron të jetë lidere në rajon dhe kemi plan që përveç Maqedonisë së Veriut të zgjerohemi edhe në tregun e Shqipërisë”, ka deklaruar para tre muajsh per "Tanjug", Vlladimir Luçiq. Ai ka deklaruar se nismat rajonale fshijnë më tej kufijtë për ekonominë dhe shtoi se kjo është e rëndësishme për Telecomin, i cili dëshiron të jetë i pranishëm në të gjitha vendet e rajonit. Telecom Srbia është një operator shtetëror serb i telekomunikacionit, i themeluar si një kompani aksionare në qershor 1997. Pronari shumicë i kompanisë është Republika e Serbisë me 58,11 përqind të pronësisë. Përveç shtetit, pronarë janë edhe Telekom Srbija a.d. Beogradi me 20 përqind të aksioneve, qytetarët e Republikës së Serbisë me 14,95 përqind dhe punonjësit dhe ish-punonjësit e Telekom Srbija a.d. Beogradi me 6,94 për qind.