Tensione dhe konfrontime në protestën e 94 në Tiranë! Policia: 14 persona të arrestuar
Një ditë pas protestës së 94-të të zhvilluar në Tiranë, Policia ka arrestuar 14 persona dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 3 të tjerë, në lidhje me incidentet e regjistruara pranë Kryeministrisë.
Sipas Policisë së Tiranës, të arrestuarit janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.
Ndërkohë, në gjendje të lirë po procedohen penalisht tre persona të tjerë, për të cilët Policia ka referuar materialet në Prokurori.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 1 shtatorit, rreth orës 20:00, kur një grup protestuesish u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë.
Sipas uniformave blu, protestuesit bllokuan hyrje-daljet e institucionit, në një kohë kur në ambientet e Kryeministrisë ndodheshin personalitete të larta shtetërore.
Policia thotë se krijoi një kordon sigurie për të mos lejuar depërtimin e protestuesve brenda perimetrit të sigurisë. Për rreth 30 minuta, përmes megafonit, tubuesve iu kërkua të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.
Sipas Policisë, pavarësisht thirrjeve, protestuesit vijuan qëndrimin në rrugë dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e vendosur në kordonin e sigurisë.
Në momentin e ndërhyrjes për zhvendosjen e protestuesve dhe lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë, Policia pretendon se protestuesit bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë dhe vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të qarkullimit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përplasjes protestuesit kanë shtyrë dhe goditur punonjës të Policisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan 14 shtetas, ndërsa për tre të tjerë nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Hetimet për incidentet e regjistruara gjatë protestës së 94-të vijojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.