Podgoricë: 72 orë mbajtje për burrin që dyshohet se kërcënoi partneren me thikë dhe fëmijët e saj
Prokuroria Themelore e Podgoricës i caktoi mbajtje deri në 72 orë F.F.-së, i dyshuar për veprën e zgjatur penale të dhunës në familje, pas kërcënimeve të përsëritura me thikë ndaj partneres I.P. më 27, 30 dhe 31 tetor.
Prokuroria Themelore Shtetërore në Podgoricë i ka caktuar mbajtje deri në 72 orë një burri me inicialet F.F., i dyshuar për veprën e zgjatur penale të dhunës në familje ose në bashkësinë familjare, siç njofton ETV.
Sipas prokurorisë, më 27 tetor, në banesën e partneres së tij I.P., i dyshuari e ka kërcënuar atë se do t’ia vriste fëmijët dhe i ka vënë thikën në kurriz.
Më 30 tetor, siç njofton ETV, ai ka shkuar te dera e banesës së të dëmtuarës, e ka shtrënguar në fyt dhe e ka përplasur pas murit, nga çka ajo ka humbur për pak kohë vetëdijen dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore. Më pas ai e ka kërcënuar sërish se do t’ia vriste fëmijët, duke mbajtur thikën mbi vajzën e saj të mitur që flinte.
Kërcënimet janë përsëritur edhe më 31 tetor para banesës së I.P.-së, ku i dyshuari i ka thënë se do ta vriste atë dhe fëmijët dhe se “të gjithë do të përfundonin të vdekur”, gjë që, sipas prokurorisë, i ka shkaktuar të dëmtuarës ndjenjë frike dhe rrezikimi.
Prokuroria Themelore e Podgoricës bëri të ditur se i dyshuari u mbajt sepse ekziston rreziku që ai ta përsërisë veprën dhe ta kryejë atë me të cilën kërcënon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.