Tensione në seancë, Meta debaton me gjyqtarin Bani: Jeni ekstremisht i njëanshëm
Ka nisur me debate seanca e radhës në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta.
Gjatë seancës, Meta ka pasur një debat me gjyqtarin e çështjes, Erion Bani, lidhur me vijimin e procedurës dhe rendin e diskutimeve në sallë.
Meta është shprehur se po tentohet të krijohet konfuzion në media dhe se, sipas tij, gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duke kërkuar të japë më parë sqarimet e tij mbi seancën e kaluar.
“Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohet media që të mos kuptohet se po bëhet mashtrim. Mos më ndërprisni fare. Prokurori e nisi me seancën e kaluar. Rregullat i di mirë unë, gjykata duhet të jetë edhe e pavarur edhe e paanshme. Dua ti jap një përgjigje për seancën e kaluar dhe pastaj vazhdojmë sipas asaj që ka”, tha Meta.
Në vijim, Meta është shprehur: “Jeni ekstremisht i njëanshëm… jam këtu si terrorist ukrainas”, duke ngritur akuza për njëanshmëri ndaj trupës gjykuese.
Nga ana e tij, gjyqtari Bani ka ndërhyrë duke theksuar se gjykata përcakton rendin e fjalës dhe se duhet të respektohen rregullat e procesit, duke i kërkuar prokurorisë të mbyllë parashtrimet përpara mbrojtjes.
Debati ka vijuar më tej, ku Meta ka përsëritur akuzat për njëanshmëri, ndërsa gjyqtari i ka kërkuar që, nëse ka pretendime, të paraqesë kërkesë për përjashtim të trupës gjykuese.
Në përgjigje, Meta është shprehur se nuk ka kërkesë të tillë, duke shtuar se “kam respekt për rregullat dhe ligjin”, ndërsa ka insistuar se kishte të drejtë të jepte sqarimet e tij për shkak të seancës së mëparshme.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.