Kosova

Bosch: Joreale të pritet sivjet liberalizimi i vizave!

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, Robert Bosch, vlerëson se pritjet që Evropa t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti janë joreale dhe thotë se në rastin më optimist kjo mund të ndodhë në fillim të vitit 2016.

bosch-joreale-t-euml-pritet-sivjet-liberalizimi-i-vizave_hdBosch ka tashmë katër vite e gjysmë prejse ka marrë postin e diplomatit të vendit të tij në shtetin tonë dhe, që nga 2010, ka parë ndryshime të shumta në Kosovë, edhe atë jo vetëm negative, por edhe pozitive.

Mirëpo, porosit ai, prapëseprapë mbetet shumë punë për t’u bërë.

Në intervistën për KosovaPress, Bosch flet për krijimin e Gjykatës Speciale, që pritet të ketë degën e saj, apo edhe të vendosë tërësisht selinë në shtetin e tij, për çka thotë se ekziston një pajtim në mes Holandës dhe BE-së, ndonëse një kërkesë zyrtare nga institucionet e vendit ende nuk i është bërë këtij shteti që tashmë ka traditë në akomodimin e gjykatave ndërkombëtare.

Sipas tij, ndonëse ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim, pritet që ky institucion i drejtësisë të funksionalizohet brenda këtij viti.

“Ata kanë kërkuar që të bëhemi nikoqirë të kësaj gjykate dhe ne kemi thënë PO. Mund të jetë në Hagë, por mund të jetë edhe në një qytet tjetër të Holandës, por më e logjikshme do të ishte të vendosej në Hagë, por ende nuk e dimë”, ka thënë Bosch.

Sipas tij, do të ishte më problematike vendosja e kësaj gjykate nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara, sesa nën ombrellën e BE-së dhe ligjeve të saj , pasi që përfshirja e OKB–së në këtë çështje do të ishte më e komplikuar për vetë faktin se do të kishte numër të madh të shteteve të përfshira në këtë çështje.

Bosch thotë se shteti i tij mund ta ndihmojë Kosovën, sidomos në fushën e bujqësisë, duke sjellë ekspertë të saj për të dhënë kontributin e tyre në këtë fushë, që konsiderohet ndër degët më të rëndësishme ekonomike.

Ambasadori Bosch ka folur edhe për valën e migrimit që kaploi vendin muajt e fundit të vitit 2014 dhe muajt e parë të këtij viti, duke thënë se ikja e njerëzve ka filluar t’i bëjë popujt evropianë të mendojnë se çfarë do të ndodhë me këta qytetarë, të cilët ikin kështu derisa nuk kanë liberalizim të vizave, kur të përfundojë ky proces.

Kjo, sipas tij, ka dëmtuar imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Në intervistën për KosovaPress, ambasadori Bosch ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për deklaratat kontradiktore të zyrtarëve qeveritarë sa i përket asaj se a do të ketë apo jo liberalizim të vizave brenda këtij viti, duke thënë se një gjë e tillë është vështirë e arritshme dhe larg realitetit të tanishëm.

Sipas tij, një goditje këtij procesi ia ka dhënë edhe ikja ilegale e njerëzve në vendet e BE-së.
Ambasadori holandez nuk ka lënë anash edhe bojkotin që po i bën Lista Serbe institucioneve të vendit, për të cilin thotë se më së shumti i dëmton banorë serbë, të cilët tash sa kohë kanë mbetur të papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button