Sporti

Testi B del pozitiv, por Begaj rebelohet

“Do të dal para panelit dëgjimor dhe kërkoj analizën e ADN-së. Luan Shabani nuk ka gisht”

romela_1Romela Begaj ka rezultuar pozitive edhe pas Testit B të kryer në laboratorin e Këlnit. Lajmi është mësuar dje, ndonëse dokumenti ishte dërguar që dy ditë më parë nga Federata Ndërkombëtare në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Me këtë rezultat të testit, sportistja shqiptare që u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes në Kazakistan, rrezikon jo vetëm heqjen e medaljes, por edhe pezullimin dyvjeçar nga të gjitha aktivitetet. Megjithatë, vendimi do të merret vetëm pasi atletja shqiptare të dalë para një paneli dëgjimor të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes.

“Kjo përgjigje nuk është një përgjigje përfundimtare që unë jam e dënuar ose jam e dopuar me këtë lloj substance të qelbur. Është e turpshme që unë kam dalë me të dhe mua më kanë akuzuar për këtë lloj substance”, deklaroi dje Begaj në një prononcim për “Top Channel”. “Nuk është përcaktuar ende që e kam pirë këtë substancë, jam ende në proces. Pritet që brenda katër javëve të shkoj në panelin dëgjimor. Më kanë dhënë një shans”, deklaroi peshëngritësja 28-vjeçare.

Duket se Begaj është distancuar plotësisht nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Drejtuesit e kësaj të fundit nuk kanë shmangur kritikat kundër saj dhe kanë aluduar se Luan Shabani, trajneri që stërviti atë dhe dy peshëngritësit e tjerë që rezultuan pozitiv ndaj stanozololit, Daniel Godellin e Hysen Pulakun, mund të jetë përgjegjës për këtë situatë. Begaj nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë si hedhje balte drejt figurës së Shabanit që ajo vazhdon ta mbrojë me zjarr. “Nuk kam qenë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, por kam dëgjuar shumë polemika dhe shumë baltë që është hedhur mbi trajnerin tim, Luan Shabani. Më vjen keq, ai person ka qenë me mua në Gjermani, më ka ndihmuar, më ka qëndruar afër. Ai është i pastër në këtë punë, nuk ka gisht për dopingun në Shqipëri, nuk ka gisht me Romelën. Por pikërisht është ai person që po na çon deri në përfundimin ku do të dalë e drejta jonë. Unë them që me të vërtetë jemi të pastër, kjo substancë nuk është çështja”, tha Begaj.

Ideja se rrugët e saj me Federatën e Peshëngritjes janë të ndara, tregohet qartë edhe nga fakti se në hapjen e Testit B, i pranishëm nuk ka qenë asnjë drejtues i FSHP, por vetë Begaj, trajneri i saj zyrtar, Kreshnik Hakcani, si dhe një doktor grek, profesor Aristidhis Zazakis, i cili është drejtori i Laboratorit të Toksikologjisë në Universitetin e Kretës.

Duket se pikërisht profesori grek ka këshilluar Begajn që ta çojë çështjen deri në fund, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë nëse është e nevojshme. “Cili është hapi tjetër nëse paneli më nxjerr fajtore? Jam e gatshme të dal të jap ADN-në time që është më e rëndësishme, se në të kontrollohet për një vit se çfarë kam pirë apo çfarë kam marrë në trupin tim. Jam e gatshme t’i denoncoj në CAS. Kjo është një goditje që do t’u jap, nuk kam frikë nga askush sepse jam me të drejtën dhe nuk e kam përdorur këtë lloj substance”, deklaroi Begaj, pa treguar se cilët ishin personat që dëshironte të “godiste” me apelimin e saj në instancën më të lartë të drejtësisë sportive.

Në një situatë të tillë kaosi, ajo që bën më shumë çudi është heshtja e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila ka shmangur komentet. Drejtuesit e saj kanë udhëtuar me urgjencë drejt Hungarisë, për t’u takuar atje me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Tamas Ajan. Në eventualitetin që Godelli dhe Pulaku rezultojnë pozitiv ndaj Testit B, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të përjashtohet dy vjet nga aktivitetet, që do të thotë se shtanga shqiptare nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016. Drejtuesit e FSHP shpresojnë të bindin Ajan që të mos merret një vendim kaq drastik, pasi peshëngritja ka qenë sporti shqiptar që ka dërguar rregullisht atletë në Lojërat Olimpike dhe që shihej si disiplina e vetme që kishte mundësi reale të siguronte medalje për Shqipërinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button