Politika

Tetori Gjerman – Meta: Kultura krijon lidhjet më të forta mes vendeve

“Kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve e kombeve dhe në këtë kuadër Tetori Gjerman është kthyer në një traditë të mrekullueshme për shqiptarët”.

 Kështu deklaroi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel, që u zhvillua dje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ky aktivitet u mbajt në kuadrin e Tetorit Gjerman, javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar e zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme në 30 vjetët e fundit dhe se në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti.

“Shkëmbimet kulturore janë rritur, kontaktet e drejtpërdrejta, e jo vetëm të albanologëve apo studiuesve të specializuar nga të dy vendet, janë intensifikuar. Sot, me qindra të rinj shqiptarë mësojnë me dashuri e përkushtim gjuhën dhe kulturën gjermane, por po ashtu shumë të rinj gjermanë interesohen më shumë për atë që ofron Shqipëria, si në aspektin gjeografik e turistik, ashtu edhe në atë historik e kulturor. Numri i të rinjve gjermanë që vizitojnë vendin tonë është rritur ndjeshëm dhe po kështu edhe artistë të zhanreve të ndryshme po performojnë gjithnjë e më shumë në skenat dhe ekspozitat shqiptare”, tha Meta.

Ai vlerësoi ekspozitën e sotme të Rosemarie Trockel-it, e cila në mënyrë të veçantë dallohet për guximin dhe angazhimin artistik për emancipimin e femrës në artin bashkëkohor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button