Kronika

Tahiri: Kallëzim penal ndaj Lulzim Bashës për 21 janarin

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ish SHKB) në Ministrinë e Brendshme, ka bërë sot një kallëzim penal ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha. Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së mbajtur sot pasdite në Kuvend. Sipas Tahirit, padia ndaj Bashës është bërë lidhur me ngjarjet e 21 janarit, në kohën kur Basha ishte ministër i Brendshëm. Tahiri tha se nga kqyrja e librave të shërbimit të Gardës së Republikës,  në datën 21 janar 2011, rezulton se Basha ka dhënë urdhër për t’u ngritur helikopteri, i cili do të hidhte lëndë kimike kundër protestuesve të Piramida. Tahiri u shpreh se ky vendim nuk është në kompetencën e ministrit të Brendshëm, prandaj sipas tij, Lulzim Basha duhet të përgjigjet para drejtësisë. Pas Tahirit ka reaguar ish-kryeministri Berisha dhe deputeti Arben Ristani, të cilët i kanë cilësuar shpifje dhe sajesa akuzat e Tahirit. Sipas Ristanit, urdhërat për ngritjen e helikopterit i jep vetëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe jo ministri i Brendshëm. Ristani shkoi më tej duke aluduar se Tahiri mund të jetë nën efektin e drogës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button