Tirana dhe Barcelona, binjakëzim për tregjet publike dhe urbanizimin
Menaxhimi i tregjeve publike, urbanizimi dhe transporti publik, janë tre nga fushat në të cilat Tirana do të ndjekë modelin e suksesshëm të Barcelonës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me homologen e tij në Barcelonë, Ada Colau, me të cilën diskutoi për eksperiencën që do të marrë kryeqyteti shqiptar në këto çështje të rëndësishme.
Në fokus të bisedës ishte binjakëzimi midis dy bashkive për çështje të rëndësishme të menaxhimit të qytetit, si tregjet publike apo urbanizimi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e informoi homologen e tij mbi ndryshimet që tashmë kanë nisur të vihen re në Tiranë, për lirimin e hapësirave publike, projektin e Pazarit të Ri dhe disiplinimin e transportit publik. Ai vlerësoi se eksperienca e Barcelonës në këto fusha, të cilat përkojnë edhe projektet kryesore të Bashkisë së Tiranës, do të mund të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e tyre.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, garantoi kryebashkiakun Veliaj se administrata e saj do të ofrojë gjithë eksperiencën e nevojshme për përmirësimin e shërbimeve publike të qytetit, si dhe sqaroi modelet konkrete që Bashkia e Barcelonës ndjek për disa çështje të rëndësishme si urbanizimi, sistemimi i hapësirave publike, tregjet publike dhe transporti publik.
Dy kryebashkiakët ranë dakord për binjakëzimin e bashkive të Tiranës dhe Barcelonës për të ndihmuar kryeqytetin shqiptar në menaxhimin e tregjeve, transportit publik të qytetit, lirimin e hapësirave publike dhe problemet e urbanizimit.