Tiranë, bllokohet një sasi mishi, AKU forcon kontrollin në tregjet e ushqimore
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bllokoi të martën një sasi mishi që pas kontrollit rezultoi pa vulë dhe çertifikatë veterinare.
“Në kuadër të zbatimin të Aktit Normativ për Disiplinimin e Therjes së Kafshëve dhe tregtimit të mishit, si dhe në zbatim të planit të masave për sezonin e verës e rritjes së temperaturave, AKU bllokoi sot ne Tiranë një sasi mishi, e cila ishte pa vulën e veterinerit zyrtar. Rasti i parë ishte në markatën e mishit pranë Pazarit të Ri (Sheshi Avni Rustemi) dhe i dyti në një dyqan mishi pranë Senatoriumit. AKU sekuestroi sasinë e mishit, kryesisht bagëti të imëta, si dhe mori masa administrative ndaj subjekteve” bëhet me dije nga AKU.
AKU, krahas inspektimeve në kuadër të planit të përgjithshëm të inspektimeve, ka ndërmarrë edhe një plan masash për sezonit veror dhe deri më sot, ka ushtruar kontroll në mbi 1155 operator të biznesit ushqimor, si dhe ka vendosur rreth 10 gjoba dhe ka berë 4 paralajmërime. AKU kërkon nga konsumatorët që të jenë të kujdesshëm, të kontrollojnë produktet që blejnë, si dhe të shmangin blerjet në rrugë dhe ambiente të tjera të hapura.