Tiranë, grabitje me maska e armë në pikën e karburantit
Një grabitje me armë, nga dy persona të maskuar, është shënuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në kryeqytet, në zonën e quajtur Qafë Kashar, aty ku është sulmuar një pikë karburanti.
Agresorët kanë mundur të marrin kasafortën dhe më pas janë larguar në drejtim të Durrësit.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Megjithatë kjo nuk është hera e parë që grabitet një pikë karburanti në vendin tonë.
Vetëm pak ditë më parë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi nga pikat e karburanteve vendosjen e automateve elektronike gjatë natës, në mënyrë që të shmangen të tilla raste. Gjatë 5 viteve të fundit, në vend janë grabitur 171 pika karburanti, nga të cilat policia ka zbuluar vetëm 40% të rasteve.
“Sot në botë, gjatë orëve të natës nuk gjen operator që shet me para në dorë karburant në pikën e karburantit. Po të bëjmë një provë, që në çdo pikë të mos ketë operatorë që shesin karburant me lekë në dorë, por që asistojnë qytetarët në vetëshërbim dhe paratë futen në automat elektronik, njësoj si me bankat, kjo është e mjaftueshme për të vërtetuar që vjedhjet zbresin në nivelin zero”, deklaroi atëherë Tahiri.