Tjetër tragjedi në Egje, rikuperohen trupat e 12 viktimave; 8 fëmijë
Trupat e pajetë të 12 refugjatëve, mes të cilëve edhe 8 fëmijë, janë zbuluar në ujërat e ishullit grek të Samosit këtë të enjte, pasi varka e tyre është përmbysur gjatë orëve të natës, siç bëjnë të ditur Rojet Bregdetare të shtetit helen.
Rrethanat e mbytjes së varkës mbeten ende të paqarta. Roja Bregdetare greke dhe anije prej agjencisë europiane të patrullimit të kufijve, “Frontex”, zhvilluan një operacion kërkim-shpëtimi pranë brigjeve të ishullit Samos. 10 persona u shpëtuan, ndërsa 12 trupa; të 8 fëmijëve, 3 burrave dhe një gruaje; u gjetën të pajetë.
Kjo tragjedi është e dyta në dy ditët e fundit. Një tjetër varkë u përmbys në ujërat e ishullit Kos ditën e mërkurë, duke lënë 7 të vdekur, mes të cilëve dy fëmijë.
Greqia, e cila ka mijëra kilometra vijë bregdetare dhe ishuj shumë pranë brigjeve të Turqisë, është porta kryesore hyrëse e refugjatëve drejt Europës.
Vendet e Bashkimit Europian kanë kritikuar ashpër monitorimin e situatës nga Athina, në atë që shënon krizën më të rëndë të refugjatëve në kontinentin e vjetër që prej Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se një milion emigrantë kanë mbërritur në Europë vitin e kaluar, shumica prej të cilëve përmes Greqisë.
Të mërkurën, Komisioni Europian paralajmëroi Greqinë se do të përballet me më shumë kontrolle kufitare me shtetet e tjera në zonën e udhëtimit të lirë “Schengen”, duke nisur prej muajit maj, nëse nuk zgjidh “defiçencat serioze” në menaxhimin e situatës në kufijtë e jashtëm të kësaj zone.