TKOBAP dyfishon të ardhurat nga eventet kulturore, 19 milionë lekë në 7 muaj
Eventet dhe performancat artistike të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) po i shton vlerë ofertës kulturore dhe sezonit turistik në vend.
TKOBAP ka shënuar rritje të ndjeshme të aktivitetit artistik gjatë periudhës janar–korrik 2026, ndërsa të ardhurat nga eventet kulturore janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në 19 milionë lekë, nga 9,44 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau statistikat e aktivitetit të TKOBAP, duke theksuar rritjen e numrit të eventeve, premierave, spektatorëve dhe të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, gjatë shtatë muajve të parë të vitit u zhvilluan 150 evente, nga 122 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me një rritje prej 23%.
Numri i premierave arriti në 58, kundrejt 24 premierave në vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 142%.
Edhe interesi i publikut ka ardhur në rritje. Gjatë periudhës janar–korrik u shitën rreth 19 mijë bileta, nga 10 178 një vit më parë, ose 86,7% më shumë.
Të ardhurat nga aktivitetet artistike arritën në 19 milionë lekë, nga 9,44 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 101,3%.
Në aktivitetet e TKOBAP morën pjesë mbi 21 mijë spektatorë, ndërsa në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare u angazhuan më shumë se 400 artistë. Gjatë kësaj periudhe, trupa realizoi gjithashtu mbi 10 shfaqje në skena ndërkombëtare.
Gonxhja vlerësoi se rritja e aktivitetit të TKOBAP nuk matet vetëm përmes shifrave, por edhe përmes rritjes së pjesëmarrjes së publikut, mbushjes së sallave dhe prezantimit të artit shqiptar përtej kufijve.
Aktiviteti kulturor, veçanërisht gjatë sezonit turistik, përbën një element të rëndësishëm të ofertës turistike të vendit, duke ndërthurur promovimin e kulturës shqiptare me zhvillimin e ekonomisë turistike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.