Politika

Top Story, Kotzias e Bushati për çamët, ligjin e luftës, detin…

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u ndal në Tiranë në një vizitë zyrtare dyditore për të diskutuar çështjet e hapura mes dy vendeve jo vetëm me homologun e tij, Ditmir Bushati. Së bashku me Bushatin dhe me Top Story-n e moderimin e Sokol Ballës, Kotzias u ndal në një auditor të mbushur me studentë dhe profesorë të Universitetit të Tiranës. Në fjalën hyrëse, kryediplomati grek vuri theksin tek urat që lidhin dy vendet dhe u kujdes të përforcojë se e ardhmja europiane e Shqipërisë varet edhe nga Greqia.

Fjalimi hyrës i Kotzias

“Ju falenderoj shumë për ftesën. Ju falënderoj edhe për fjalët e mira që u thanë këtu. Falënderoj çdo shqiptar dhe shqiptare, të cilët me punën e tyre, me miqësinë, me prezencën e tyre në Greqi, kontribuojnë në zhvillimin e vendit tim, me lidhjet e tyre familjare dhe kontaktet e përditshme, sjellin më afër dy vendet tona. Falënderoj personalisht çdo student dhe studente me origjinë nga Shqipëria që ka ndjekur leksionet dhe seminaret e mia dhe sot janë të sukseshëm në atdheun e tyre. Jam krenar për ata studentë dhe ato studente. Në Greqi jetojnë 700 mijë Shqiptarë, 140 mijë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë greke. Pothuajse 7 mijë janë tashmë vetë sipërmarrës. Dëshëroj të nënvizoj edhe nga kjo foltore,  se sa me fat jemi ne, Grekët, që vala e parë e emigrantëve ekonomikë dhe e refugjatëve, vinte prej vendit tuaj. Njerëz  të qetë, familjarë, plot mirësi, punëdashës, me dëshirë për dije. Pa fanatizëm  dhe ekstremizëm. Njerëz që gjetën një jetë të mirë dhe të koordinuar, ndërkohë që ndihmuan në mënyrë vendimtare atdheun e tyre. Të integruar në shoqërinë greke si askush tjetër që vinte prej vendeve të treta.
Ata përbëjnë një urë mirëkuptimi reciprok. Përspektiva europiane e Shqipërisë, vetë europianizimi i elitave shoqërore, gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme. Realizimi i pesë objektivave europiane  që i janë vendosur Shqipërisë, do të ndihmojë në avancimin e reformave të brëndshme në  vend  por dhe do t’i sjellë  më afër dy vendet tona. Greqia, një prej  anëtareve më të hershme të BE-së, zotëron eksperiencën dhe ekspertizën mbi proçedurat  dhe ‘’anët e çuditshme‘’  të BE-së, dhe në çdo moment është e gatshme të ndihmojë për çdo kërkesë nga ana e  Shqipërisë mike. Njëkohësisht, ne dëshërojmë që të mos i lëmë të pazgjidhura probleme  të vjetra, të cilët do të krijonin vështirësi në ecurinë europiane të Shqipërisë. Dëshërojmë që ato të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, me dialog, me pjekuri, me mirëkuptim dhe  në mënyrë racionale. Bashkimi Europian është një sistem i së drejtës, një sistem që udhëhiqet nga e drejta dhe ligji, funksionon në bazë të rregullave.
E kemi mbrujtur me kulturën e dialogut dhe të respektit reciprok, me kulturën e konsensusit dhe të kompromiseve pozitive. Pikërisht kjo kulturë duhet që të përhapet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që të arrihet kjo, do të duhet që ne, Shqipëria dhe Greqia, të japim shëmbullin pozitiv për të gjithë rajonin. Nën këtë frymë ne dëshërojmë që të kapërcejmë keqkuptimet dhe konceptet ekstremiste (shoviniste). Po synojmë zgjidhjen e problemeve të vjetra dhe shfrytëzimin e mundësive të reja. Synojmë ecurinë e përbashkët përpara. Do të dëshiroja të bëja edhe vërejtjen e mëposhtme: megjithë krizën që ka goditur ekonominë greke, me pasoja për të gjithë shoqërinë tonë, Greqia mbetet duke ruajtur  distancën, si vendi më i fuqishëm i rajonit.
Disponon avantazhe thelbësore. Nuk është vetëm Prodhimi i Brendshëm i saj bruto që, megjithë tkurrjen në masën 25% prej krizës, është pesë herë më i madh se ai i Bullgarisë dhe dhjetë herë më i madh se ai i Shqipërisë, është pjesëmarrja e saj në të gjitha institucionet perëndimore. Është ekspertiza që zotëron, janë  kapacitetet dhe aftësitë që ajo disponon.  Në shumicën e tyre grekët, kanë mësuar ta respektojnë Shqipërinë dhe faktorin shqiptar. Nuk rrojmë në kohën e rrezimit të sistemit të atëhershëm politik, të emigrimit të shqiptarëve dhe të mungesës së perspektivës për vendin e tyre. Shqipëria po përparon si një vend modern europian dhe duam të jemi përkrah saj në këtë realitet.
Nuk lëjojmë që të nënvleftësohet fqinji ynë veri-perendimor. Së bashku do të transformojmë të ardhmën e rajonit. Nga ana tjetër, nuk do të duhet të harrojë askush në Shqipëri se e ardhmja e saj është e lidhur me marrëdhëniet e mira me fqinjin e saj jugor. As të nënvleftësohen mundësitë dhe instrumentet që disponon Greqia akoma edhe sot. Është e vërtetë se ka vende më të fuqishme në Europë dhe në botë se vendet tona, por interesimi i tyre për Shqipërinë nuk është i qendrueshëm, nuk përbën përparësi të dorës së parë. Përkundrazi, ne duam, dëshirojmë dhe punojmë për marrëdhënie barazie, ku nga problemet e së kaluarës të ngremë sot miqësi dhe përfitime të përbashkëta për të ardhmen. Marrëdhënie të forta midis Shqipërisë dhe Greqisë japin forcë në shtetet dhe shoqëritë tona, ushqejnë me shpresë popujt tanë. Kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit.

Bashkëbisedimi

Pas fjalimi hyrës, dy kryediplomatët iu përgjigjen disa pyetjeve të Sokol Ballës dhe të studentëve dhe profesorëve të pranishëm në këtë takim.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë mund të na sqarojë më tepër për parimin e reciprocitetit që duket sikur po trajtohet në mënyrë të re mes dy vendeve.

Ministri Bushati: Ne kemi hapur një linjë të qartë dialogu komunikimi dhe kemi ballafaquar pikëpamjet e kundërta që kemi për disa nga cështjet që mbeten të hapura dhe besoj që me dialog dhe përvojën e dy vendeve tona, duke u mbështetur në instrumentet e së drejtës ndërkombëtare dhe në frymën europiane do të kemi mundësinë që disa nga këto çështje t’i tejkalojmë.

Doja të preknim një çështje delikate që nga pala shqiptare po trajtohet me një tonalitet tjetër vitet e fundit; çështjen çame.

Ministri grek, Nikos Kotzias: Të falenderoj për këtë  pyetje. Në vazhdim të konferencës sime të shtypit thashë se problemet janë për t’u zgjidhur. Disa mendojnë se problem është zgjidhja. Besoj se nuk duhet ta zmadhojmë këtë problem që ju sapo shtruat. Kisha një intervistë në një kanal televiziv shqiptar dhe u përpoqa të them se kemi shumë gjëra të përbashkëta pozitive që mund të bëjmë në dy vendet tona Shqipëria dhe Greqia dhe nuk besoj se duhet të përqëndrohemi pikërisht të kjo çështje që ju sapo shtruat. Përsa i përket kësaj çështje, bëhet fjalë për një grup popullsie çame që rronte dhe rron në Shqipëri dhe me ta nuk kishim dhe nuk kemi asnjë problem. Ata vetëpërcaktohen nëse i takojnë njërit grup apo tjetër në Shqipëri, por ky nuk është problemi yne. Ekziton dhe një grup tjetër çamësh që janë integruar në shoqërinë greke, një pjesë e tyre janë islamizuar nga vitet 1600, nga këta ekzistonte edhe një grup tjetër që bashkëpunuan me pushtuesit dhe ishin bashkëpunëtorë të tyre. Ata u dënuan nga gjyqet pas Luftës së Dytë Botërore dhe u larguan në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Tani ekzistojne fëmijë nga këta njerëz, nipër, që nuk mbajnë një përgjegjësi për mëkatet e luftës që kryen paraardhësit e tyre. Greqia për cilindo që përcakton kushtet e kriteret dhe ka vizë Shengen është e hapur. Mua më pëlqen të flas për 700 mijë shqiptarët që janë në Greqi dhe që nuk kanë asnjë lidhje me traditën e Luftës së Dytë Botërore që gjatë gjithë kësaj periudhe në treguam se i duam si fëmijët tanë. Flas edhe për ata studentë të shkëlqyer që vijnë nga Shqipëria. Madje në viziten e fundit që bëra në Shqipëri unë takova disa prej tyre që janë bërë profesorë universiteti. Kur shikon gjëra të tilla zemra e çdo mësuesi fluturon dhe dua të them që shqiptarët që studiojnë në universitetet tona dhe flas për Universitetin e Marrëdhënieve Europiane dhe Ndërkombëtare në Pire, janë nga studentët më të mirë që kishim ndonjëherë, arsimdashës të zgjuar dhe shumë punëtorë, që përbën gezim për çdo profesor. Duhet të mendojmë për këtë kategori njerëzish që përbëjnë urën më të mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Tek parimi i reciprocitetit, si do të trajtohet çështja çame nga ana e Qeverisë shqiptare? Zoti ministër foli për të drejtat e pronës së minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë dimë që pala greke kërkon ngritjen e varrezave të të rënëve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. A do të kërkojë Qeveria shqiptare reciprocitet nga pala greke edhe për çështjen çame në këtë drejtim. E dimë që çështja çame ka një aspekt ekonomik, por ka edhe një aspekt moral dhe historik për ngritjen e një varreze të të rënëve të tyre në territorin grek.

Ministri Bushati: Detyra jonë është e vështirë pasi duhet të gjejmë një balancë për problemet e mbartura nga historia që kërkojnë zgjidhje. Mund të qendrojnë disi të fshehura në momente të caktuara, por sërish kërkojnë zgjidhje. Ne kemi grupuar çështjet përsa na takon si Shqipëri në 3 shporta, 3 kategori, në shportën e problemeve me origjinë nga Lufta e Dytë Botërore, në shportën e problematikave që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek jeta e qytetarëve të të dy vendeve dhe shporta e tretë ku janë çështje përcaktuese për të ardhmen tonë. Kur flasim për shportën e parë ju përmendet çështjen çame apo varrezat e të rënëve grekë në Shqipëri, ligji i luftës e kështu me radhë. Ka një tërësi çështjesh. Jam optimist se për të gjitha çështjet po mbizotëron fryma e racionalitetit sesa thjesht listimi i kendvështrimeve të ndryshme.

Do doja të flisnim pak për ligjin e luftës, apo dekretin mbretëror të 1940. Zoti ministër (Kotzias), ju folët për nevojën e një traktati të ri miqësie mes dy vendeve, ky mund të jetë një debat interesant për të gjithë juristët, por për njerëzit e thjeshtë mbetet problem, që ne kërkojmë të bëjmë një traktat të ri miqësie, por si mund të bësh një traktat miqësie kur ke në fuqi një ligj lufte. Njerëzit e thjeshtë do të thonë që duhet të hiqet njëherë ligji i luftës dhe pastaj të bësh një traktat të ri miqësie. 

Ministri grek, Kotzias: Winston Churchill  tha pas Luftës së Dytë Botërore se Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë dhe unë them dhe jo i pari që të mos jemi të burgosur të historisë, të mësojmë nga historia dhe të mos mbetemi në burgun e saj. Në marrëdhëniet greko-shqiptare ne kemi një nivel marrëdhëniesh të shkëlqyera, por edhe marrëdhëniet tona personale. Nëse me lejon ta them zoti ministër. Por ne jemi europianë para se të jemi ballkanas, por jemi pak skizofrenë. Mbaroi lufta dhe ekziston një ligj për luftën. Një këshill ministrash në Greqi tha se mbaroi lufta në 1987 pastaj në morëm dhe hartuam një traktat miqësie mes dy vendeve, pastaj punuam në mënyrë të fortë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s, kjo do të thotë se ne nuk jemi në luftë. Por pala tjetër na thote se keni edhe një ligj ju. Këtë skizofreni kemi për ta zgjidhur mes nesh. Politika mplekset ndonjëherë edhe me psikoanalizën, siç më thotë një miku im shqiptar, natën kërcejmë në buzuk dhe në mëngjes themi edhe ndonjë fjalë për grekët. Ndërsa ne gjithë ditën mbështetemi te puna e shqiptarëve në greqi, i përqafojmë, i puthim dhe i duam dhe para se të flemë e themi ndonjë fjalë për Shqipërinë. Jemi si të ishim një çift i moshuar grindavec, është koha të martojmë nipërit tanë që të bëjmë një traktat miqësie.
Do të them edhe për këtë me shumë qartësi, por nuk do desha ta them në greqisht, do t’i them publikisht. Më pyetën disa nëpunës në Greqi, nuk bëjmë edhe shumë kontrolle në kufirin shqiptaro- grek, por këto mos i dëgjojë Europa. Tani e dimë sesi kalohet në kufirin shqiptaro-grek. Kjo është gjë e mirë që populli të bashkohet, por kur kërkohet zyrtarisht të kontrollohen emrat,  të drejtë kanë, por realiteti është ndryshe. Kam mikun tim, Pangalos, ministrin e Jashtëm grek, ai thotë se është arvanitas. Çfarë është arvanitasi? Është një hibrid greko-shqiptar. Tani ai thotë është grek. Nëse do rrimë t’i bëjmë kontroll në kufi…Kjo nuk mund bëhet  sepse marrëdhëniet mes shqiptarëve e grekëve mund të kenë probleme përsa i përket kufirit, apo probleme me historinë, por është e vërtetë se në këto 1 mijë vitet e fundit kufijtë e gjeografia shkojnë e vijne dhe këtë e them se historia na edukon në mënyrë racionale se problemet mund të zgidhen. Kam një partner, ministrin Bushati që mbron interesat e Shqipërisë, por elemente të këtyre interesave janë në marrëdhëniet greko-shqiptare.  Dikush në vendet tona, edhe në Greqi thonë të kemi interesat tona pa dëmtuar Shqipërinë. Por nuk janë të ndara këto. Interesat tona dhe marrëdhëniet tona ato janë të gjitha bashkë. Por dje katër gazeta greke kishin titull kyesor se përse shkoja unë në Shqipëri. Por kjo do të thotë që unë budalla jam që të humbas një takim të tillë këtu. Po ashtu gazetat e tjera thanë që unë u rrethova nga demostrues. Nuk më rrethuan, i pashë nga larg. Por duhet të dini se sa në demostrata kam shkuar unë.  Për mua në jetën time, asgjë që është njerëzore nuk është e huaj që domethënë nëse dëmostrojne të tjerët apo demostroj unë.

Duket sikur klima mes dy vendeve është ngrohur disi zoti Bushati. Kotzias foli për probleme që zgjidhen mes dy fqinjësh, mendoni se do të jetë kaq e thjeshtë të zgjidhet çështja e kufirit detar?

Ministri Bushati: Çështjet e përcaktimit të shelfit kontinetal kërkojnë gjakftohtësi, përgatitje paraprake dhe precedentë dhe mbështetje në precedentë të saktë. Kam hulumtuar arkivat e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Me Italinë në është dashur 7 vjet për të mbyllur çështjet e detit në një reliev gjeografik që është favorizues dhe gjithë procesi i diskutimeve është bërë gjatë Luftës së Ftohtë dhe pala shqiptare ka qenë e ndihmuar nga një ekspertizë e huaj dhe aq në mënyrë profesionale është kopsitur i gjithë procesi, saqë as Shqipëria dhe as Italia nuk ka kontestuar si marrëveshje. Me Greqinë ne kemi ndjekur një procedurë dhe proces për fat të keq jo profesional. Kur dëgjoj prap sot ish-zyrtarë që flasin për vorbulla më e pakta që them është fali Zot se nuk dijnë ç’bëjnë e ç’thonë. Relievi gjeografik me Greqinë është më i vështirë, çka e bën edhe aplikimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare më të vështirë. Por si me magji, pala shqiptare me 3 raunde bisedimesh dhe vetëm 1 vit e gjysmë dhe një dosje që për mirësjellje mund ta quaj dosje, se nuk është as dosje, e mbyll këtë marrëveshje. Me ato kushte dhe standarde që dihen. Miku im Kotzias është në të drejtën e vet kur thotë që e drejta e brendshme nuk mund të përdoret si argument për të bllokuar marrëveshje që konkludohen mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, por edhe unë besoj se jam në të drejtën time kur them se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht na pëlqejnë apo jo, janë vendime të padiskutueshme. Kam ndjekur me vëmendje debatet në Shqipëri. Për Vangjelin (Dule) që është këtu, andej nga jugu e dijnë mirë atë shprehjen që thonë që ‘krushqit e parë të shqiptarëve janë grekët’. Kjo do të thotë që nuk është mirë as për ne dhe as për grekët për të jetuar dhe thënë që kemi një projektmarrëveshje që mund të mos ishte një marrëveshje e ndershme për të dyja palët. E them që faji është i Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare dhe atyre që e negociuan në atë në mënyrë. Mora shembullin e Italisë për këtë çështje sepse është një vend themelues i BE-së, fqinj me ne dhe që ka marrëdhënie po kaq të mira edhe me Greqinë. Kur marr Italinë si shembull kam parasysh që duam një zgjidhje të bazuar në respektin për të drejtën ndërkombëtare, një zgjidhje me frymë europiane dhe që bazohet tek e drejta ndërkombëtare. Nuk duam që të jemi sanduiç i kontesteve dhe konflikteve, por as të shohim për zgjidhje që nuk kanë kompasin orientues tek e drejta ndërkombëtare.

Ministri grek, Nikos Kotsias: Filimisht unë kam për t’ju thënë ju diçka shumë të mirë. Ne kemi një det të mirë e të bukur sepse italianët nga ana tjetër e kanë shkatërruar detin dhe pikërisht për këtë det të bukur ne duam të krijojmë zona detare dhe kështu kemi një situatë paradoksale që na ndodh. Ne thamë që e kemi firmosur marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojmë atë dhe e kemi nënshkruar marrëveshjen në bazë të të drejtës ndërkombëtare sikundër e tha edhe ministri i Jashtëm, po thotë pala shqiptare, por sipas asamblese tonë kushtetuese një fakt i tillë nuk është i ligjshem. Ne i tregojmë palës shqiptare se e drejta ndërkombëtare është mbi të drejtën kushtetuese tuaj. Ndërkohë rikthehet pala shqiptare duke thënë, po ashtu është, por e drejta kushtetuese e jona është e drejtë e saktë për ne. Dhe kështu ne kemi një marrëveshje për 8 vite radhazi dhe shikojmë njëri-tjetrin në sy, por gjithsesi diçka duhet të bëjmë. Ka zgjidhje qoftë teknike, qoftë juridike, të cilat duhet të respektojnë interesat, por edhe konceptet e të dyja palëve. Kjo është përsa i përket konceptit politik, por duhet të konfirmojmë faktin këtu se politikanët kanë nevojë për ekspertë edhe për ekspertizën analoge që nevojitet. Por edhe këtë e them jo vetëm në aspektin metafizik se në politikë kemi nevoje edhe për fantazi dhe fillimisht kemi nevojë për ide në mënyrë që të bëhen dizertacione pas 50 vitesh me këto ide.

Historianët flasin në Top Story: Me Greqinë, sjellje e re

mmNë pjesën e tretë, Top Story i kësaj të enjteje solli mendimin e analistëve, historianëve dhe akademikëve mbi vizitën e Kotzias në Tiranë, marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe problematikat e kësaj fqinjësie.
I pari që foli ishte Pëllumb Xhufi. Ai vlerësoi pozitiv qëndrimin e mbajtur nga pala shqiptare, që kërkon zgjidhjen e problemeve të së shkuarës.
“Pala greke këmbëngul, edhe këtë herë këmbënguli që të shohim nga e ardhmja, të shohim perspektivën e zhvillimit, pala shqiptare bëri mirë që këmbënguli që për të shkuar përpara duhet të zgjidhim disa probleme që historia ka lënë mbrapa. Më duket u ra dakort që këto probleme me rëndësi për ne, si ligji i luftës, çështja çame apo kufiri detar dhe probleme të tjera, këto nisën të diskutohen. Ky është një fakt pozitiv dhe i pashembullt në marrëdhëniet tona. Ka një zhvillim pozitiv dhe i duhet njohur merita edhe klasës së re politike që drejton sot Greqinë, e cila është më e balancuar me konceptet”, tha Xhufi.
Për analistin Mentor Nazarko meritë në këto zhvillime në marrëdhëniet me Greqinë ka edhe qeveria shqiptare.
“Kemi ardhjen në pushtet të një force politike dhe individë, si Rama dhe Bushati që e kanë imponuar në sjelljen diplomatike të Shqipërisë jo vetëm kundër Greqisë, por edhe ndaj fqinjëve të tjerë, një treshe konceptesh; reciprocitetin, dinjitetin dhe barazinë. Shqipëria ka nisur të riafirmojë fuqishëm çështjen çame duke e futur në axhendë një temë që kishte dalë prej saj ashtu siç ka futur edhe ligjin e luftës. Pala greke erdhi me një axhendë maksimaliste, që ishte marrëveshja e detit dhe për të jetësuar marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë”, u shpreh Nazarko.
Historiani Ksenofon Krisafi ndan marrëdhëniet me Greqinë në dy segmente. Ai kërkon nga të dyja qeveritë që të shkëputen nga e kaluara.
“Kam ndarë këtë marrëdhënie në dy segmente, një që ka të bëjë me marrëdhëniet mes politikës dhe mes dy popujve. Popujt e kanë gjetur gjuhën, por i ka ngatërruar gjithmonë politika që ka toksikuar gjithmonë këto raporte. Qeveritë në të dy vendet do të duhet që të braktisin dogmat e së kaluarës, të largohen këto sloganet nacionaliste që kanë intoksikuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Shqiptarët dhe grekët janë dy popujt me të lashtë të Ballkanit dhe që kanë bërë historinë e këtij rajoni”, thotë ai.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button