Trafikoi sasi të mëdha droge drejt BE, arrestohet i fshehur në Belgjikë Jasin Avdyli! GJKKO e ka dënuar me 12 vite! Mbante
Policia e Shtetit njoftoi sot se ka arrestuar në Belgjikë 58-vjeçari Jasin Avdyli, me dy identitete, për trafik ndërkombëtar droge dhe krime të tjera të rënda, si organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
SPAK e kërkonte prej vitit 2023, kurse GJKKO kishte dhënë masë sigurie në mungesë “arrest me burg” për disa akuza.
Jasin Kala alias Jasin Avdyli, i dënuar me 12 vite burg në Shqipëri në kuadër të dosjeve “339” dhe “Volvo 4”, është arrestuar në Belgjikë gjatë një operacioni antidrogë.
Ai ishte dënuar për përfshirjen në një grup kriminal të hetuar në kuadër të dosjes “Volvo 4”.
Mes akuzave ndaj tij ishte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has. Arrestimi në Belgjikë pritet të pasohet nga procedurat përkatëse ligjore lidhur me vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare.
Interpoli ka nisur dhe procedurat e ekstradimit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
“Si rezultat i bashkëpunimit me homologët në Belgjikë, finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Kapet në Belgjikë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GjKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike, në disa shtete.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë, e shtetasit:
-J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar, në Shqipëri”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.