6.3 miliardë dollarë. Grabitet kompania më e madhe e kriptovalutave
“Binance”, platforma më e madhe në botë e kriptovalutave, ra pre e një grabitjeje madhore kibernetike, që e detyroi të ngrinte vlerën e mbetur të të ardhurave me qëllim parandalimin e vazhdimit të vjedhjes.
Përmes një njoftimi në rrjetin “X”, kompania bëri të ditur se impakti i grabtijes arrinte në 6.3 miliardë dollarë, ose 5.5 miliardë euro, por insistoi se fondet e përdoruesve ishin tërësisht të sigurta dhe se do të mbulonte të gjitha humbjet.
“Ne kemi punuar me partnerët e zinxhirit tonë për të ngrirë asetet e prekura me vlerë 3 miliardë dollarë, ose 2.6 miliardë euro”, deklaroi “Binance”.
Sidoqoftë, kjo është vjedhja më e madhe kibernetike e kryer ndonjëherë, pas asaj prej 1.5 miliardë dollarësh të bërë në shkurt të 2025-s në dëm të platformës tjetër “Bybit”.
Vjedhja e “Bybit” iu atribuua asokohe një grupi hakerash të lidhur me qeverinë e Koresë së Veriut, të quajtur “Tregtari Tradhtar”.
Një organizatë që po heton grabitjen e fundit ndaj “Binance” ka deklaruar se dyshimet edhe këtë herë bien mbi grupin në fjalë. “Aspekte të shumta të këtij sulmi përkojnë më vjedhjet e mëparshme të kryera nga Koreja e Veriut”, ka deklaruar kompania “TRM”.
“Tregtari Tradhtar” dyshohet se është pjesë e Grupit Lazarus, që u bë famëkeq në vitin 2014, kur u akuzua për hakerimin e kompanisë kinematografike amerikane “Sony Pictures”, në shenjë hakmarrjeje për filmin “The Interview”, që vinte në lojë liderin koreano-verior Kim Jong Un.
Në vijim të deklaratës në rrjetin “X”, “Binance” saktësoi se një hetim paraprak sugjeroi se sulmi vinte nga një laptop i komprometuar që i përkiste një inxhinieri, që lejoi palë të paautorizuara të depërtonin në bankën e saj dhe të kryente transaksione.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.