☀️
Tiranë 20°C · Kthjellët 11 September 2026
S&P 500 7,592 ▼0.58%
DOW 52,064 ▼0.6%
NASDAQ 26,082 ▼0.65%
NAFTA 103.12 ▲0.62%
ARI 4,362 ▼1.04%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8587 EUR/CHF 0.9419 EUR/ALL 92.0706 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3416 EUR/TRY 56.4313 EUR/JPY 178.70 EUR/CAD 1.6050 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8587 EUR/CHF 0.9419 EUR/ALL 92.0706 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3416 EUR/TRY 56.4313 EUR/JPY 178.70 EUR/CAD 1.6050
₿ CRYPTO
BTC $76,826 ▼ -1.81% ETH $2,451 ▼ -0.66% XRP $1.3413 ▼ -3.75% SOL $98.9600 ▼ -2.33%
S&P 500 7,592 ▼0.58 % DOW 52,064 ▼0.6 % NASDAQ 26,082 ▼0.65 % NAFTA 103.12 ▲0.62 % ARI 4,362 ▼1.04 % S&P 500 7,592 ▼0.58 % DOW 52,064 ▼0.6 % NASDAQ 26,082 ▼0.65 % NAFTA 103.12 ▲0.62 % ARI 4,362 ▼1.04 %
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8587 EUR/CHF 0.9419 EUR/ALL 92.0706 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3416 EUR/TRY 56.4313 EUR/JPY 178.70 EUR/CAD 1.6050 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8587 EUR/CHF 0.9419 EUR/ALL 92.0706 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3416 EUR/TRY 56.4313 EUR/JPY 178.70 EUR/CAD 1.6050
11 Sep 2026
Breaking
Opinion

Trajtimi i gjyqtarëve si kulakë dhe zemërimi popullor me regji qeveritare

DORIAN MATLIA

Kur erdhi në pushtet, Edi Rama mbase nuk e dinte se kishte një mangësi të madhe, që iu kthye në hall të papritur. U bë kryeministër, por nuk ishte bërë pronar i të gjitha pushteteve. Kishte një sektor që deri atëherë nuk e kishte mësuar që nuk dilte nga zgjedhjet, që ishte pikërisht gjyqësori. Gjykatat, në punë e sipër, i këpusnin ndonjë rrëzim VKM-je, i prishnin ndonjë tender, ndonjë emërim, ndonjë shkarkim, ndonjë ligj me porosi, dhe, të paktën në parim, mund t’i kërkonin llogari. Ku i dihej, një ditë mund ta gjykonin edhe si të pandehur. Dhe nuk e fitonte dot sepse nuk bëhej me votime kjo punë.

Në një republikë parlamentare, ky është rendi normal kushtetues. Në përfytyrimin e Ramës për qeverisjen, me sa duket, ishte një defekt që duhej riparuar. Për dikë që ndarjen e pushteteve e përjeton si shpërndarje të panevojshme të autoritetit të vet, të fituar me aq mund elektoral, kjo duhet të ketë qenë një përvojë shumë traumatike.

Kështu mendoj që nisi fushata, me mjetin që Rama zotëron më mirë, krijimin e një armiku dhe luajtja e rolit të opozitarit të përjetshëm. Lufta kundër korrupsionit ishte flamuri i duhur për të rreshtuar pas vetes edhe ndërkombëtarët. Korrupsioni në gjyqësor ishte real, ashtu si në çdo sektor tjetër të pushtetit. Pikërisht kjo e bënte lëndë të përsosur për propagandë. Mjaftonte që përgjegjësia individuale e disa gjyqtarëve të shkrihej në një faj kolektiv dhe çdo gjyqtar mund të paraqitej si një i pandehur që priste rradhën te gijotina e Lidhjes së Shkrimtarëve (e kam fjalën për godinën e vettingut) Kryeministri mund të vazhdonte të fliste si opozitar, edhe pse pushtetin e kishte vetë.

Pastaj erdhi reforma. Me premtime të mëdha, ceremoni të mëdha dhe pronësi politike të shpallur me zë të lartë. Për çdo sukses, qeveria nxitonte të merrte meritën. Kur dështonte diçka, drejtësia ishte e pavarur dhe fajin e kishte vetë.

Një ndarje pushtetesh shumë praktike kjo. Madje, më mirë akoma, një ndarje meritash. Për sukseset qeveria meritonte medalje, kurse për dështimet gjyqësori meritonte sharjet dhe urrejtjen.

Sot kemi një sistem gjyqësor, ku falë reformës që nuk e bënë gjyqtarët dhe nuk kanë faj fare, qytetari e nis çështjen në moshë pune dhe shpreson ta përfundojë në pension. Për ata që nuk e kapin dot këtë afat, mbetet mundësia që drejtësinë ta gëzojnë trashëgimtarët. Reforma na premtoi drejtësi për të gjithë, vetëm se nuk na tha se në cilën botë do e gëzonim. Te kjo apo te ajo tjetra ku do vemi të gjithë.

Për këtë gjendje nuk mjafton të tregosh me gisht gjyqtarin që ka dosjen mbi tavolinë. Çdo qjyqtar sot ka mijëra dosje në tavolinë, dollap, poshtë tavolinës, te qoshja, te dritarja, prapa derës, dhe është bërë një barrë çnjerëzore t’i trajtosh të gjitha. Fajin e ka arkitektura e reformës, ritmi i zbatimit dhe burimet e sistemit që i përcaktoi mazhoranca me kryereformatorin në krye. Përgjegjësitë individuale të gjyqtarëve duhen kërkuar aty ku janë, por nuk mund të përdoren për të fshehur përgjegjësinë politike për mënyrën si u konceptua dhe u zbatua reforma.

Përballë një emergjence të tillë kombëtare, pushteti politik do duhej të jepte llogari dhe të kërkonte zgjidhje. Sidomos këtë përgjegjësi e ka ai që kërkoi me aq ngulm meritat e reformës. Por Rama ka zgjedhur t’ia fillojë nga e para luftës me gjyqtarët, që të bëjë edhe një herë sikur është opozitar, gju më gju me popullin hallexhi.

E provoi të kritikonte ashpër arrestet me burg në emër të standardeve, por aty terreni ishte i vështirë. Publiku ishte dhe mbetet i uritur për të parë politikanë pas hekurave dhe gjyqtarët marrin duartrokitje pikërisht për këtë, shpesh pa u pyetur nëse masa është e nevojshme apo nëse respektohen standardet.

Te pagat, ama, e gjeti vrimën e duhur të fyellit. Në një vend ku shumë njerëz mezi mbyllin muajin, mjafton të publikosh rrogën e një gjyqtari dhe gjysmën e debatit e ke fituar pa e nisur fare. Nuk vonon zemërimi dhe përbuzja, që Rama e shton me doza zeheri artificial. Dhe për dreq, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të presë, sepse edhe ata që morën vendimin janë gjyqtarë vetë, dhe helbete populli e kupton që gjyqtarët po bëjnë komplot kundër popullit. Mirë që vonojnë dosjet por tani duan edhe paga në kurriz të taksapaguesve (ehh…taksapagues, sa gjëra thuhen e bëhen në emrin tënd). Komentet marrin dhenë. “Shushunja“, “Mirë ua bën!”, „Iu bëfshin ilaçe!“.

Kështu, një detyrim juridik me bazë kushtetuese hidhet në ankandin e popullaritetit. Nëse publiku nuk i do gjyqtarët, paga e tyre trajtohen si luks. Dhe qeveria gjasme mbron publikun.

Por shteti ligjor nuk funksionon me këtë logjikë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk bëhet i detyrueshëm pasi të marrë numrin e nevojshëm të likeve në Facebook. Dhe një e drejtë nuk pushon së ekzistuari ngaqë përfituesi i saj na duket antipatik, se kështu thotë qeveria dhe ca analistë që fitojnë shumë me tepër se gjyqtarët (por që bërtasin për hallet e popullit më shumë).

Gjykata Kushtetuese u shpreh këto ditë dhe na rikujtoi të gjithëve se vendimi i saj është përfundimtar e i detyrueshëm. Mosveprimi i Kuvendit për të rregulluar situatën nuk mund të kthehet në një kompetencë të re të qeverisë për ta lënë vendimin pezull. Aq më pak mund të trajtohet bllokimi i pagave si një leksion edukimi për gjyqtarët.

Këtu bëhet e qartë edhe dobia politike e zemërimit popullor. Në vend që qeveria të shpjegojë përse nuk përmbush detyrimet ligjore për pagat, përse nuk krijon kushte që gjykatat të kenë zyra e salla, pse nuk nis të riparojë sistemin e shkatërruar nga reforma (eksperimentale) në drejtësi, gjyqtarëve u kërkohet të justifikojnë përse duan edhe pagën. Deri këtu vajti puna. Për më keq, kanë lënë edhe sekretaret dhe punonjësit e tjerë të gjykatës, deri te sanitaret, pa rrogë. Fajtori për problemet po na merr rolin e akuzuesit dhe ai që kërkon pagën duhet të mbrohet para turmës.

Duhet thënë që në këtë përplasje armët janë shumë të pabarabarta. Kryeministri ka media, podcaste, një tufë apartçikësh me instruktazh të qartë që duhet të mbysin algoritmet e rrjeteve sociale, ka aparatin politik dhe mundësinë për ta ushqyer debatin nga mëngjesi në darkë. Madje edhe natën kur gjyqtarët flenë. Nga ana tjetër, qjyqtarët kanë kufizime ligjore që të mos flasin në publik dhe duhet të vetëpërmbahen. Ata nuk mund të zbresin çdo ditë në të njëjtin nivel polemike, të komentojnë apo të garojnë me batuta në këtë zullumhanen e mediave dhe rrjeteve sociale ku kryegjeli na kujton çdo ditë me këngën e tij se mbi pleh erdhi mëngjesi.

Kjo pabarazi i shërben Ramës dyfish, sepse mund t’i sulmojë pa vetëpërmbajtje dhe pastaj vetëpërmbajtjen e tyre t’ia shesë publikut si mungesë argumentesh.

Tani gjyqtarët kanë bërë kallëzim penal. Nëse ka vepër penale, kush e ka kryer dhe me çfarë përgjegjësie, duhet ta përcaktojë një hetim i paanshëm. Por kërkesa për hetim nuk rrëzohet as me batuta, as me analista, dhe as fakti që kërkojnë mbrojtjen e pagës së tyre nuk i zhvesh nga e drejta për mbrojtje ligjore.

Demokracia përmban edhe atë pjesë që kryeministrit i prish humorin, që është pikërisht kufizimi i pushtetit të shumicës. Ka institucione që mund t’i thonë jo, vendime që duhet t’i zbatojë dhe përgjegjësi që nuk mund t’ua transferojë të tjerëve me konferenca shtypi. Shumica e zhurmës nuk është burim i së drejtës. Ashtu si shumica e injorancës nuk bëhet argument i vlefshëm kushtetues.

Prandaj mbrojtja e gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të gjykatave në këtë konflikt nuk varet nga dashuria për ta. Mund të kemi kritika të forta për vendimet dhe sjelljen e tyre. Por, nëse pranojmë që qeveria t’ua kushtëzojë të drejtat me mjete populiste, i japim asaj një mjet për t’i disiplinuar sa herë që një vendim nuk i pëlqen. Sot zemërimi drejtohet kundër pagës, ndërsa nesër mund të përdoret kundër gjyqtarit që na jep të drejtë përballë shtetit.

Unë nuk pres më që kjo qeveri të marrë ndonjë kthesë. As pres që gatuesit e reformës të dalin e të thonë: “E dhjemë, o njerëz. Për këtë derexhe që krijuam kemi përgjegjësi ne. Nuk duhet t’ua faturojmë fajin gjyqtarëve”.

Por unë pres të paktën që gjyqtarët të rezistojnë. Të mos ia dorëzojnë pagën dhe pavarësinë e tyre humorit të ekzekutivit. Sepse nesër, kur një qytetar të përballet në gjykatë me këtë shtet mizerie, do t’i duhet një gjyqtar që nuk ia kërcet shumë nëse qeveria është e pakënaqur me të, dhe as që qeveria i mbaka edhe pagën.

Madje pres edhe plotësimin e një dëshire disi të poshtër. Pres që Rama dhe ndihmësit e tij të mbeten në ditë nën peshën e rrënojave të reformës në drejtësi. Dhe ironia do plotësonte skenën ku aty poshtë rrënojave t’i gjente pikërisht SPAK-u, ajo pjesë e sistemit që, në përfytyrimin publik, duket sikur funksionon kryesisht sepse kafshon. Nëse ajo nofull, ashtu poshtë rrënojave, do të mbërrinte një ditë te qafa e arkitektëve politikë të këtij modeli, tundimi im do të ishte të bashkohesha me korin që sot duartroket çdo kafshim “Hë më ta lumsha!”

E quaj disi të poshtër këtë dëshirë sepse e di që pikërisht atëherë do të më duhej t’i rezistoja. Edhe ata kanë të drejta. Edhe ata meritojnë gjyqtarë të pavarur që nuk varen nga humori i ministrit të përkohshëm të financave, si dhe proces të rregullt e drejtësi në kohë. Edhe për ta, zemërimi popullor nuk mund të zëvendësojë provën e fajësisë dhe duartrokitja nuk mund të zëvendësojë vendimin e dënimit.

Dhe kjo është barra e të besuarit te shteti ligjor, që duhet ta kërkosh që ta gëzojë një ditë edhe ai që e vizatoi këtë shkarravinë që sot e shan dhe gjyqtarëve i ndërsen kundër publikun e varfër, duke ia shitur bllokimin e pagave si shpronësim kulakësh.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.